12.5 C
Tirana

Protestuan kundër qeverisë ushtarake në Mianmar, vriten 24 persona

Më datë:

Të paktën 24 persona janë vrarë dhe 47 të tjerë janë plagosur, ndërsa protestonin kundër qeverisë ushtarake të Mianmarit, pasi një paraglider i ushtrisë hodhi dy bomba mbi turmën, tha për BBC, një zëdhënës i qeverisë në mërgim.

Sulmi ndodhi të hënën në mbrëmje, ndërsa rreth 100 persona ishin mbledhur në qytetin Chaung U, në Mianmarin qendror, për të festuar një festë kombëtare.

Që nga grushti i shtetit ushtarak në vitin 2021, mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur, duke shkaktuar një luftë civile mes ushtrisë dhe grupeve të rezistencës së armatosur si dhe milicive etnike.

Pasi humbi kontrollin e më shumë se gjysmës së vendit, ushtria ka filluar të fitojë terren sërish, përmes një fushate veçanërisht të përgjakshme, me sulme ajrore dhe bombardime të rënda.

Qyteti i sulmuar të hënën ndodhet në rajonin Sagaing, një nga zonat më të përfshira në konflikt. Pjesë të mëdha të këtij rajoni janë nën kontrollin e milicive vullnetare të krijuara pas grushtit të shtetit për të luftuar qeverinë ushtarake, të njohura si Forcat e Mbrojtjes së Popullit.

Këto grupe drejtojnë gjithashtu administratën lokale. Një zyrtar i PDF-së lokale i tha BBC Burmese se kishin marrë informacione për një sulm ajror të mundshëm gjatë tubimit të së hënës.

Ata u përpoqën ta përfundonin protestën sa më shpejt, por paragliderët mbërritën më herët se sa pritej.

“Gjithçka ndodhi për shtatë minuta”, shtoi ai. Ai tha se shpërthimi i plagosi këmbën, por disa njerëz pranë tij u vranë.

Banorët thanë se ishte e vështirë të identifikoheshin trupat pas sulmit.

“Fëmijët ishin copëtuar plotësisht”, tha një grua që kishte ndihmuar në organizimin e aktivitetit për agjencinë e lajmeve AFP. Ajo nuk ishte në vendngjarje, por mori pjesë në ceremonitë mortore të martën, duke shtuar se ende po “mbledhin pjesë trupash”.

Në një deklaratë të martën, Amnesty International tha se përdorimi i paragliderëve të motorizuar nga junta për të sulmuar komunitetet është pjesë e një “prirjeje shqetësuese”.

BBC Burmese ka raportuar kohët e fundit se junta po përdor gjithnjë e më shumë paragliderë, për shkak të mungesës së avionëve dhe helikopterëve.

Sanksionet ndërkombëtare gjatë viteve të fundit e kanë vështirësuar për udhëheqësit e Mianmarit, sigurimin e pajisjeve ushtarake.

Megjithatë, teknologjia ushtarake dhe dronët e avancuar, furnizime nga Kina dhe Rusia i kanë dhënë juntës një avantazh të ri në fushëbetejë, sipas analistëve.

Joe Freeman, studiues i Mianmarit për Amnesty International, tha se sulmi “duhet të shërbejë si një thirrje e dhimbshme për t’u zgjuar – civilët në Mianmar kanë nevojë për mbrojtje urgjente”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje shteteve të ASEAN-it, bllokut rajonal të Azisë Juglindore që pritet të mblidhet më vonë këtë muaj, që të “rrisin presionin ndaj juntës dhe të ndryshojnë qasjen që ka dështuar ndaj popullit të Mianmarit për gati pesë vite”.

Tubimi i së hënës me qirinj ishte organizuar si një protestë paqësore kundër rekrutimit të detyruar nga junta dhe zgjedhjeve kombëtare që po afrohen.

Protestuesit gjithashtu bënin thirrje për lirimin e të burgosurve politikë, përfshirë Aung San Suu Kyi, udhëheqësen e zgjedhur në mënyrë demokratike, që u rrëzua me grushtin e shtetit dhe u burgos.

Mianmari pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në dhjetor – të parat që nga grushti i shtetit i vitit 2021. Por kritikët thonë se votimi nuk do të jetë i lirë dhe i drejtë dhe ka për qëllim të forcojë pushtetin ushtarak.

Shumë parti opozitare janë ndaluar dhe votimi pritet të zhvillohet vetëm në rreth gjysmën e vendit, për shkak të luftimeve.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Një hap më afër BE-së, Kosova pranohet si anëtare në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni...

Erdogan: Gaza ka nevojë për shërim dhe rindërtim

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan tha të premten se...

Përplasjet me Peleshin, PS kërkon përjashtimin e Bardhit me 30 ditë nga Kuvendi

14 deputetë socialistë i kanë drejtuar dje, 17 tetor,...

Prokuroria çon në gjyq 3 të pandehur, mes tyre nipërit e Agron Kapllanajt

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit...