Protesta studentore e zhvilluar dje në Tiranë, ka bërë jehonë dhe në mediat ndërkombëtare. Nëntë orë protestë të mbushura me tensione, dhunë ndaj godinave qeveritare, e përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave policore.
“Studentët shqiptarë protestojnë për arsimin, vendet e punës dhe përplasen me policinë”; kështu e prezanton artikullin Retuers ku flitet për sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit paralelizuar me protestat studentore në Francë.
“Studentët protestues hodhën tulla dhe blloqe betoni drejt Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë në Tiranë të martën dhe policia qëlloi me gaz lotsjellës dhe topa uji në përgjigje, ndërsa një demonstratë mbarëkombëtare mbi arsimin dhe çështjet sociale u shndërrua në të dhunshme… Demonstrata vjen në mes të një vale më të gjerë të aktivizmit studentor në Evropë. Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar javë të tëra protestash dhe bllokimesh shkollash duke kërkuar më shumë mësues dhe ambiente më të mira, duke argumentuar se ndërtesat shkollore në përkeqësim dhe klasat e mbipopulluara po dëmtojnë arsimin”, thuhet ndër të tjera në artikull.
Al Jazeera shkruan se revolta studentore është ndezur në valën e protestave që po zhvillohen masivisht në Tiranë muajt e fundit ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit të vendit Edi Rama.
“Kryeqyteti i Shqipërisë ka parë një sërë protestash antiqeveritare që nga maji , të nxitura nga një projekt turizmi luksoz i lidhur me familjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Projekti ka nxitur zemërim për korrupsionin e dyshuar dhe mungesën e transparencës, me protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Studentët i bënë jehonë këtyre kërkesave, por i thanë medias lokale se tubimi i së martës synonte gjithashtu të kritikonte kushtet universitare, tarifat e shkollimit dhe mungesën e mbështetjes për të rinjtë”, thuhet në artikull.
Dhe media italiane ANSA ka shkruar për protestën e djeshme, dhunën dhe përleshjet masive të qytetarëve me uniformat blu.
“Një protestë studentësh dhe qytetarësh jashtë Ministrisë së Arsimit në Tiranë u përshkallëzua shpejt në përleshje të dhunshme me policinë. Turma, e cila numëronte me qindra, brohoriti slogane antiqeveritare përpara se të hidhte fishekzjarrë, bojë, vezë dhe gurë shtrimi të shqyer nga trotuari”, thuhet në artikull.
Përveç Ministrisë së Arsimit, protestuesit arritën të futeshin dhe në katin e parë të Bashkisë së Tiranës duke ndezur dhe flakadanë brenda në godinë. Sipas raportimeve paraprake nga Policia, raportohet për mbi 45 persona të shoqëruar, 20 të lënduar, mes tyre 7 efektivë policie, 2 gazetarë, 8 protestues dhe 3 kalimtarë.
Protesta fillimisht nisi e qetë me thirrje “Dorëheqje’, “Revolucion”, “Ju erdhi fundi”, më pas u përshkallëzua me hedhjen e pllakave të betonit drejt ministrisë së Arsimit, vezëve e letrave higjenike. Protestuesit shkulën dhe hekurat anësorë nëpër trotuare e arritën të futeshin deri në oborrin e ministrisë ku u përballën më pas me kordonin e policisë, gaz lotsjellës, spray me piper e autobotë me ujë.
Turma u shpërnda në të tjera drejtime, ndërsa zjarre u ndezën nëpër rrugë kryesore. Protestuesit sulmuan dhe biznese private. Nëpër media sociale, janë bërë virale video nga përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Sakaq, policia ka nisur verifikimet dhe për rastin e një 19-vjeçari, i cili ka pësuar frakturë të rëndë në këmbë në rrethana ende të paqarta. Ajo që e rëndon situatën është mënyrë sesi policia e ka kapur në krah për të dërguar në ambulancë. Për këtë rast, është pezulluar nga detyra shefi i Rendit në Komisariatin nr. 1 Tiranë si dhe 4 efektivë.


