Vijon prej gati tri javësh protesta e rreth 70 minatorëve të kromit në Spaç.
Minatorët e zonës së Spaçit kanë zhvendosur protestën e tyre këtë të mërkurë në Tiranë, pranë Ministrisë së Ekonomisë e Inovacionit si ministria përgjegjëse për marrëdhëniet e punës. Minatorët kërkojnë reagimin e institucioneve për të ndërmjetësuar komunikimin me kompaninë minerare që administron minierën.
Protesta e minatorëve ka në fokus dy kërkesa: njohjen zyrtare të sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive.
“Presioni për mbyllje apo konservim të aktivitetit mineral ka vetëm një përgjigje: përballje me ligjin shqiptar të aktivitetit minerar, Kodin e Punës dhe zbatimin e marrëveshjes koncesionare, e cila fatkeqësisht është në një terr të plotë informativ për publikun, punëtorët dhe qytetarët”, thonë minatorët dhe sindikata.
Prej gati tri javësh, minatorët janë mbledhur çdo ditë në hyrjen kryesore të kompanisë turke “Tete Albania”, e cila administron minierën, por kjo e fundit nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për dialog me përfaqësuesit e punonjësve.
Përfaqësues të punëtorëve bëjnë të ditur se kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme, pasi situata në galeritë e nëntokës është e vështirë dhe pagat nuk përputhen me rrezikun e punës që kryejnë.
Protestuesit deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të merren parasysh dhe të nisin bisedimet me drejtuesit e kompanisë.


