Të enjten, Greqia u paralizua për një ditë të tërë në shenjë proteste kundër një projektligji, që ende nuk është paraqitur në Parlament, i cili është propozuar nga qeveria konservatore e partisë Nea Dimokratia.
Ligji parashikon, ndër të tjera, që në kushte të caktuara, një punonjës të mund të punojë deri në 13 orë në ditë, për një punëdhënës të vetëm.
Transporti, veçanërisht trenat dhe tragetet që lidhin tokën me ishujt, ndërprenë punën, ashtu si edhe metrotë dhe autobusët në orare të caktuara.
Edhe mësuesit, personeli spitalor dhe punonjësit e administratës publike bojkotuan punën, sipas kërkesës së Konfederatës së Punëtorëve Grekë (GSEE) dhe Konfederatës së Punonjësve Publikë (ADEDY), si dhe sindikatës komuniste PAME.
Vendim vullnetar
Sipas GSEE, propozimi i qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis “rrezikon shëndetin dhe sigurinë e punonjësve dhe shkatërron çdo ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj private”.
Por sipas kryeministrit, shumë të rinj dëshirojnë të punojnë më shumë për të fituar më shumë. “Ne garantojmë lirinë e zgjedhjes si për punëdhënësin ashtu edhe për punonjësin. Pse kjo duhet të konsiderohet antisociale?”, deklaroi ai në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut.
Dita 13-orëshe e punës nuk do të jetë e përhapur, por e jashtëzakonshme. Sipas Ministrisë Greke të Punës, bëhet fjalë “për një dispozitë, që do të vlejë deri në 37 ditë në vit, vetëm me pëlqimin e punonjësit dhe me një rritje prej 40% të pagës”.
Megjithatë, sindikatat argumentojnë se kjo masë “do të shkatërrojë edhe mbrojtjet minimale” për punonjësit.
Për më tepër, organizatat e punëtorëve theksojnë se ligji i ri do të mohojë të drejtën për pushim të detyrueshëm prej të paktën 11 orësh në ditë, duke marrë parasysh kohën që njerëzit shpenzojnë për të shkuar në punë.
Sulm ndaj të drejtave të punonjësve
Në Greqi, java e punës zgjat mesatarisht 39.8 orë – më shumë se mesatarja e BE-së që është 35.8 orë, sipas të dhënave të Eurostat.
Qeveria e Mitsotakis, e rizgjedhur në qershor 2023, ka miratuar gjithashtu një ligj që u lejon qytetarëve të punojnë deri në moshën 74 vjeç, pra 7 vite mbi kufirin aktual të pensionit.
Ndër masat e tjera që, sipas sindikatave, dëmtojnë ekuilibrin mes jetës profesionale dhe asaj personale, si dhe sigurinë në punë, janë: java e punës prej gjashtë ditësh, pushimi i menjëhershëm nga puna pa paralajmërim gjatë vitit të parë dhe periudha prove deri në gjashtë muaj për punonjësit.
Janë vendosur gjithashtu kufizime të reja për të drejtën për të bërë grevë: kush pengon punën e kolegëve, për shembull me bllokim të hyrjes në punë, mund të gjobitet deri në pesë mijë euro ose të përfundojë në burg deri në gjashtë muaj.
Megjithëse vlerësimi i borxhit publik është përmirësuar (kaloi në nivelin BBB), rritja ekonomike është +2.3% për vitin 2024 dhe papunësia ka rënë, Greqia mbetet një nga vendet e BE-së me pagat më të ulëta, përballë një kostoje të jetesës, që është në rritje të vazhdueshme.