Policia e Shtetit doli sot në një njoftim zyrtar, ku informon qytetarët se së fundmi, janë konstatuar disa raste të shtetasve të paidentifikuar që kanë krijuar adresë elektronike të rremë (e-mail), me kredenciale të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe nëpërmjet saj, janë prezantuar si struktura për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Sipas Policisë, me këtë adresë, qytetarëve iu janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe duke iu kërkuar që të paraqiten brenda 24 orëve, në polici.
Policia thekson se e-mail-et janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me ndonjë strukturë zyrtare të saj.
Policia pohon në njoftim se qytetarët duhet të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet e-mail-it, asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici, pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar, ndërsa qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi dhe përhapja e frikës tek qytetarët.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë e-mail-e me përmbajte të tillë.
Gjithashtu, bëhet me dije se rasti është në hetim nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.


