Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Identikiti”, duke vënë në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë veprash penale, përfshirë tentativë për vjedhje me armë, mbajtje pa leje të armëve dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe Komisariatin Nr. 4 Tiranë.
Në bazë të informacioneve të siguruara, shërbimet policore lokalizuan të dyshuarin në lagjen “5 Maji”, në Tiranë, duke udhëtuar me një automjet tip “Audi”.
Në pranga përfundoi shtetasi Fatjon Bruçi (alias Fatjon Bruci), 29 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Shkodrës kishte caktuar më 30 shtator masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Vjedhje me armë”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”.
Grabitje e dështuar në një argjendari në Shkodër
Më 29 gusht 2025, i dyshuari kishte tentuar të grabiste një argjendari në lagjen “Vasil Shanto”, në Shkodër. I armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti, ai hyri në biznes, por grabitja mbeti në tentativë.
Droga, armë dhe maska në banesën me qira
Gjatë ndalimit, F. B. kishte me vete një sasi të lëndës narkotike Cannabis Sativa, ndërsa në banesën me qira në Tiranë, policia gjeti dhe sekuestroi:
-1 armë zjarri pistoletë,
-2 maska silikoni,
-municion luftarak,
-3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike,
-550 dollarë të falsifikuara,
-një shumë parash dhe aksesorë të tjerë,
-2 automjete dhe një celular.
Bashkë me të dyshuarin, në automjet ndodheshin edhe dy pasagjerë, shtetasit Xhonatan Deliu, 21 vjeç dhe Enri Elezi, 19 vjeç, të cilët u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurori, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të të arrestuarve.
Policia e Shtetit deklaroi se operacioni “Identikiti” është pjesë e strategjisë për goditjen e krimit të organizuar, dhe paralajmëron vijimin e aksioneve të tjera për kapjen e personave në kërkim dhe çmontimin e rrjeteve kriminale në vend.