2.5 C
Tirana

Pirdeni: Lançojmë vlerësimin e riskut të korrupsionit në sektorin e shëndetësisë

Më datë:

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni mori pjesë sot në takimin e organizuar në Tiranë me rastin e 30-vjetorit të Agjencisë së Prokurimi Publik.

Gjatë fjalës së saj, Pirdeni theksoi se Shqipëria renditet sot lider rajonal në modernizimin e sistemeve të prokurimit publik.

“30-vjetori i Agjencisë së Prokurimit Publik merr rëndësi të veçantë sepse zhvillohet në zemër të Javës së Integritetit, të organizuar në bashkëpunim me shumë partnerë dhe qeverinë”, u shpreh ajo.

Sipas ministres, rrugëtimi i deritanishëm i APP-së është një dëshmi e qartë e transformimit nga një mekanizëm thjesht burokratik, në një qasje moderne dhe efikase për përdorimin e fondeve publike në Shqipëri, duke synuar përmirësim të vazhdueshëm.

“Prokurimi publik është kthyer në një mendësi të re të menaxhimit të fondeve publike, duke u mbështetur te teknologjia dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian. Kjo është vlerësuar së fundmi edhe nga BE, veçanërisht për zbatimin e parimit të të dhënave të hapura, një tregues i qartë transparence gjatë gjithë procesit të prokurimit”, tha Pirdeni.

Ajo u ndal edhe tek elementi antikorrupsion, duke theksuar se ai nuk duhet të varet nga individë të veçantë, por nga sistemi që po ndërtohet, ku një rol të rëndësishëm do të ketë integrimi i Inteligjencës Artificiale si pjesë funksionale e aparatit shtetëror. Sipas saj, kjo nismë po përparon në bashkëpunim me ministren për Inteligjencën Artificiale, Diella, dhe synon të garantojë integritet të plotë institucional.

Pirdeni bëri të ditur se prej një viti, në bashkëpunim trepalësh me APP dhe Agjencinë Kombëtare Antikorrupsion të Italisë, po ndërtohet një proces i dedikuar për vlerësimin e riskut të korrupsionit në prokurimin publik, përtej thjesht automatizimit të procedurave.

Ministrja deklaroi sot se qeveria ka nisur zbatimin e sistemeve të vlerësimit digjital të riskut në sektorët me rrezik më të lartë korrupsioni, duke filluar nga tatimet dhe doganat, dhe aktualisht në sektorin e shëndetësisë.

Ajo njoftoi se këtë javë do të prezantohet, në bashkëpunim me partnerët zviceranë, vlerësimi i riskut për shëndetësinë, me kontributin e Institutit të Bazelit – institucionit më prestigjioz në Europë në analizat antikorrupsion.

Pirdeni bëri të ditur se para dy javësh u finalizua analiza tetëmujore e vlerësimit të riskut të korrupsionit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, e realizuar me asistencën e BE-së. Analiza ka evidentuar të gjithë “flamujt e kuq” të korrupsionit në punën e institucionit dhe masat që duhen marrë për t’i adresuar, me fokus të veçantë sektorin e pronave.

Duke folur për procesin e negociatave me Bashkimin Europian, ministrja theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme për përafrimin e legjislacionit dhe ngritjen e standardeve europiane në sistemin e prokurimeve publike. Ajo shprehu besimin se Kapitulli 5, që i kushtohet Prokurimeve Publike, mund të jetë ndër të parët që do të mbyllet në procesin e anëtarësimit, duke garantuar një sistem ku “çdo shpenzim është i mbrojtur, çdo proces i gjurmueshëm dhe çdo vendim i matshëm”.

Pirdeni vuri në pah rëndësinë e trajnimit të administratës publike, duke theksuar se digjitalizimi i sistemeve ecën paralelisht me rritjen e kapaciteteve njerëzore.

“Në dy vitet e fundit, në bashkëpunim me APP dhe ASPA, kemi trajnuar 2400 zyrtarë publikë në modulet e prokurimit dhe 400 të tjerë janë certifikuar në këtë fushë. Kjo është garancia jonë që zyrtarët do të çojnë përpara sistemin dhe investimet në Shqipëri”,  u shpreh ajo.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Bardhi: Shabani u hodh në votim si kandidat pa firma, kallëzim penal për Peleshin

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi...

Gjykata Kushtetuese pezullon vendimin e GJKKO, rikthen në detyrë Belinda Ballukun

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku do të...

Marrëdhënia e ‘ftohur’ me SHBA, Kurti: Është faji i Serbisë, ne i jemi bindur gjithmonë

Edhe pse është një fakt publik ftohtësia që SHBA...

GREQI – Vazhdojnë protestat dhe bllokimet e rrugëve nga fermerët

Bujqit dhe blegtorët në rajonin e Greqisë Perëndimore po...