Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku të vendosur nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).
Përfaqësuesja e Presidencës, Erjola Shia tha në parashtrimet e saj se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë nëse vendimi i Gjykatës është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve.
“Institucioni i Presidentit është përfshirë për shkak të faktit se presidenti është organi që dekreton emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Kërkesa e paraqitur para Gjykatës Kushtetuese ka parashtruar se Kushtetuta nuk njeh mekanizëm kushtetues pezullimi për anëtarët e Këshillit të Ministrave.
“Kryeministri ka angazhuar Gjykatën Kushtetuese në një pyetje thelbësore parimore: A mund të çojë zbatimi i masës së pezullimit, ndaj anëtarëve të veçantë ose gjithë këshillit të ministrave në vendosjen e një mekanizmi faktik kontrolli dhe balancimi në duart e sistemit të drejtësisë? Gjykata Kushtetuese ka nevojë të arsyetojë dhe të vendosë nëse ky mekanizëm kontrolli dhe balance është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve sipas përmbajtjes që i ka dhënë këtij parimi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, tha Shia.
Shia theksoi më tej se “ndjekja penale është funksion i drejtpërdrejt dhe ekskluziv i organeve të drejtësisë dhe nuk ka lidhje me raportet midis pushteteve. Organet e drejtësisë procedojnë dhe ndëshkojnë autorët e veprave penale pa dallim nga funksioni publik që ata ushtrojnë. Dispozita nuk është një dispozitë specifike për anëtarët e Këshillit të Ministrave, po kështu ajo nuk përjashton specifikash anëtarët e Këshillit të Ministrave”.
“Pushteti ekzekutiv në sistemin tonë kushtetues ushtrohet nga Këshilli i Ministrave si trupë dhe anëtarë të veçantë të tij sipas fushave të veprimtarisë që mbulojnë. Kushtetuta parashikon që Këshilli i Ministrave dhe anëtarë të veçantë të tij përgjigjen për ushtrimin e veprimtarisë së tij para Kuvendit dhe Komisioneve parlamentare. Instrumentet e kontrollit të balancës që parashikon Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit janë të përcaktuar shprehimisht dhe të numërueshëm ato shkojnë nga pyjet tek interpelancat, deri tek komisionet hetimore parlamentare”, tha Shia.
Sipas përfaqësues së Presidencës, “nëse masa ndaluese e pezullimit nga ushtrimi i një detyre apo shërbimi e vendosur ndaj një anëtari të Këshillit të Ministrave apo ndaj gjithë Këshillit të Ministrave, ndikon në funksionimin e lirë dhe të pakushtëzuar të pushtetit ekzekutiv, atëherë kjo masë merr përmbajtjen e një instrumenti kontrolli dhe balance midis pushtetit. Një instrument i tillë, i cili nuk është i parashikuar nga Kushtetuta, por që ka forcën juridike për të kushtëzuar funksionimin e pushtit ekzekutiv, nuk mund të konsiderohet kushtetues.
“Nëse masa ndaluese e pezullimit nuk ndikon në funksionimin e lirë dhe të pakushtëzuar të pushtetit ekzekutiv, sepse kuadri ligjor parashikon zgjidhje apo rrugëdalje institucionale, atëherë kjo masë del nga konteksti penal dhe nuk shndërrohet në një instrument kontrolli dhe balance i pushtetit gjyqësor ndaj pushtetit ekzekutiv”, tha ajo.
Presidenca kërkoi që Gjykata Kushtetuese të sqarojë nëse masa e pezullimit është e lejueshme apo jo.


