Përplasje për koncesionin e Aeroportit të Vlorës/ MABCO kërkon negociata me MIE

Më datë:

MABCO Constructions ka kundërshtuar zyrtarisht vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e parakohshme të kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe i ka kërkuar qeverisë nisjen e negociatave në mirëbesim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Në shkresën e depozituar më 10 gusht 2026 pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të bërë publike nga vetë kompania, kompania zvicerane e konsideron zgjidhjen e kontratës “të pabazuar” dhe argumenton se një pjesë thelbësore e rrethanave që kanë penguar përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit nuk mund t’i atribuohen investitorit.

Ministria kishte njoftuar më 3 gusht zgjidhjen e parakohshme të kontratës, duke e lidhur vendimin, ndër të tjera, me mosrealizimin e datës së operimit brenda afatit kontraktor, mos përfundimin e punimeve, mosmbajtjen në fuqi të sigurimit të kontratës dhe mospagimin e penaliteteve. MIE ka konsideruar gjithashtu si pjesë të problematikave konfliktet mes ortakëve të shoqërisë koncesionare dhe marrëveshjen e huadhënies me Delphos Securities.

MABCO, që zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare Vlora International Airport, kundërshton këtë interpretim dhe pretendon se vonesat janë shkaktuar ose janë rënduar nga veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shqiptare.

Sipas kompanisë, Ministria ka qenë prej muajsh në dijeni të situatës dhe është informuar përmes më shumë se 90 shkresave, ku MABCO ka kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit Kontraktues për rivendosjen e ligjshmërisë, zhbllokimin e administrimit të shoqërisë dhe krijimin e kushteve për vijimin normal të projektit.

Në argumentimin e saj, kompania i referohet edhe vendimit nr. 338 të Gjykatës së Lartë, të datës 26 maj 2026. Sipas MABCO-s, ky vendim ka konfirmuar se konflikti mes ortakëve të shoqërisë koncesionare nuk mund të shihet vetëm si një mosmarrëveshje tregtare private, por duhet të trajtohet edhe në raport me kontratën e koncesionit dhe interesin publik. Në këtë kuadër, MABCO pretendon se MIE kishte detyrimin pozitiv për të ndërhyrë kur konflikti mes ortakëve po pengonte realizimin e projektit.

MABCO: U pengua aksesi në kantier

Një pjesë e rëndësishme e kundërshtimit lidhet me aksesin në kantierin e Aeroportit të Vlorës.

MABCO pretendon se përfaqësuesit, punonjësit, inxhinierët dhe specialistët e saj janë penguar të hyjnë në kantier dhe se autoritetet nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për rivendosjen e aksesit.

Në dokument thuhet se më 18 dhe 19 maj 2026, rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të MABCO-s nuk u lejuan të hynin në kantier, ndonëse efektivë të Policisë së Shtetit ndodheshin fizikisht në zonë. Kompania pretendon se mosndërhyrja e policisë kontribuoi drejtpërdrejt në bllokimin e punimeve dhe në thellimin e vonesave.

MABCO argumenton gjithashtu se problemet me administrimin e shoqërisë koncesionare kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e projektit.

Kompania kundërshton administrimin e Vlora International Airport nga një administrator i emëruar me votën e ortakut që zotëron 2% të kuotave dhe pretendon se kjo situatë e ka përjashtuar aksionerin mazhoritar nga vendimmarrja dhe administrimi efektiv i projektit.

Sipas MABCO-s, kjo ka krijuar pengesa jo vetëm në qeverisjen e shoqërisë, por edhe në procese konkrete, si certifikimi i aeroportit, përditësimi i lejes së ndërtimit, pagesat, importi dhe instalimi i pajisjeve dhe koordinimi me operatorët dhe specialistët ndërkombëtarë.

Kompania thotë se ka vijuar financimin e projektit

MABCO kundërshton gjithashtu pretendimin se nuk ka marrë masa për përfundimin e aeroportit.

Në dokument thuhet se kompania kishte kontraktuar Munich Airport International për shërbime teknike dhe ekspertizë aeroportuale, duke financuar produkte teknike me vlerë mbi 1.5 milionë euro.

Pas ndërprerjes së këtij angazhimi në kushtet e konfliktit, më 22 janar 2026 MABCO angazhoi daa International, Dublin Airport Authority, për shërbime teknike, certifikim, ORAT dhe përgatitjen operative të aeroportit.

Sipas kompanisë, kjo marrëveshje vijon të financohet dhe operatori mbetet i gatshëm të kryejë funksionet e dakordësuara sapo të sigurohen kushtet ligjore, korporative dhe fizike për vijimin e punës.

MABCO pretendon gjithashtu se ka vijuar të kontraktojë dhe paguajë pajisje të domosdoshme për certifikimin dhe operimin e aeroportit, përfshirë sisteme sigurie aeroportuale, pajisje X-Ray, EDS dhe pajisje të tjera teknike.

Në shkresë argumentohet se edhe projekti fillestar i terminalit kishte ndryshuar gjatë zbatimit. Sipas dokumentacionit të cituar nga kompania, terminali ishte zgjeruar në rreth 22 mijë metra katrorë, duke përfshirë edhe një mezzanine prej rreth 5 mijë metrash katrorë dhe dy ura lidhëse për pasagjerët.

MABCO pretendon se kishte përgatitur edhe procedurat për modifikimin dhe zgjerimin e lejes së ndërtimit, por se procesi u bllokua nga konfliktet gjyqësore dhe administrative.

Sigurimi i kontratës dhe penalitetet

Një tjetër pikë e kundërshtimit lidhet me sigurimin e kontratës.

MIE ka përdorur ndër argumentet e saj faktin se sigurimi i kontratës nuk ishte mbajtur në fuqi. MABCO pretendon se ky fakt, në vetvete, nuk përbën shkak automatik për zgjidhjen e kontratës.

Kompania argumenton se, edhe nëse mosmbajtja në fuqi e sigurimit do të konsiderohej shkelje materiale, kontrata parashikon një afat prej 60 ditësh për korrigjimin e shkeljes. Sipas dokumentit, MIE e kishte njoftuar këtë pretendim vetëm më 16 korrik 2026, çka sipas MABCO-s do të thotë se afati për korrigjim nuk kishte përfunduar kur Ministria njoftoi zgjidhjen e kontratës.

MABCO kundërshton edhe penalitetet kontraktore të vendosura për vonesat.

Sipas kompanisë, kontrata përjashton pagesën e penalitetit në rast se data e operimit është penguar ose shtyrë si rezultat i një “Veprimi Material të Pafavorshëm Qeveritar”. MABCO pretendon se pikërisht kjo ka ndodhur në rastin e Aeroportit të Vlorës.

Kompania e konsideron zgjidhjen e njëanshme të kontratës nga MIE jo vetëm të pabazuar, por edhe një “Veprim Material të Pafavorshëm Qeveritar”, pasi sipas saj i heq koncesionarit të drejtat ekskluzive për të projektuar, ndërtuar, operuar dhe mirëmbajtur aeroportin dhe pritshmëritë ekonomike të lidhura me pjesën e mbetur të koncesionit.

Kërkon negociata, arbitrazhi mbetet vetëm si mundësi e hapur

Në përfundim të shkresës së 10 gushtit, MABCO nuk njofton drejtpërdrejt nisjen e një procedure arbitrazhi.

Kompania kërkon që mosmarrëveshja të trajtohet fillimisht nëpërmjet negociatave në mirëbesim, sipas mekanizmit të parashikuar në kontratën e koncesionit.

MABCO propozon që negociatat të zhvillohen brenda 15 ditëve pune nga marrja dijeni e shkresës dhe, në çdo rast, jo më vonë se 31 gusht 2026.

Kjo e dallon dokumentin e fundit nga një njoftim formal për arbitrazh. Kompania nuk thotë në shkresë se po nis një procedurë të tillë dhe as nuk përcakton një forum arbitrazhi.

Megjithatë, MABCO rezervon shprehimisht të gjitha të drejtat dhe mjetet juridike që i burojnë nga kontrata e koncesionit, legjislacioni shqiptar, e drejta ndërkombëtare dhe Marrëveshja Bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Ky formulim e mban të hapur mundësinë që, nëse negociatat dështojnë, konflikti të kalojë në një fazë tjetër juridike, përfshirë potencialisht arbitrazhin ndërkombëtar. Por në këtë moment, shkresa e 10 gushtit nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë apo një njoftim formal për arbitrazh.

Pak ditë më parë, “Monitor” kishte raportuar se referimi i MABCO-s te marrëveshja Shqipëri–Zvicër dhe përshkallëzimi i mosmarrëveshjes po e orientonin çështjen drejt një skenari të mundshëm arbitrazhi. Dokumenti i fundit e bën më të qartë se kompania, të paktën në këtë fazë, po kërkon fillimisht një zgjidhje përmes negociatave me qeverinë. 

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Kriza e ujit në Zvicër/ Thatësira ul nivelet e ujërave në nivele rekord

Lumenjtë dhe përrenjtë në të gjithë Zvicrën kanë rënë...

Përleshja degradoi në tentativë vrasjeje/ Policia arreston 6 persona në Divjakë

Gjashtë persona janë arrestuar nga Policia e Divjakës pas...

Rama: Ukraina nuk është shembull për Kosovën, por e drejta e saj për liri nuk vihet në diskutim

Kryeministri Edi Rama komentoi sot reagimet që solli në...

Paralajmërim për qytetarët/ AMA: “AlbKanale” jashtë funksionit, mos bëni pagesa në aplikacion

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka paralajmëruar publikun për një...