Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, reagoi pas kaosit të shkaktuar sot në Kuvend nga deputetët e opozitës, të cilët penguan zhvillimin e seancës plenare.
Peleshi nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë nuk është thjesht një vend debatesh, por institucioni ku fjala dhe sjelljet e deputetëve duhet të mbajnë e dëshmojnë peshën e përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë mirëkuptimit, jo përçarjes”.
Sipas tij çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin, cenon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve.
Peleshi nënvizoi se “detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos”.
“Mbi interesin politik qëndron interesi i shtetit. Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe asnjë ndarje partiake nuk duhet të na bëjë të harrojmë se të gjithë shërbejmë për të njëjtin vend dhe për të njëjtët qytetarë”, shkruan Peleshi.
Kreu i Kuvendit shtoi më tej se “institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake. Ruajtja, forcimi dhe respektimi i tyre është përgjegjësi që na bashkon përtej ndarjeve tona politike. Vetëm kur e vëmë shtetin mbi partinë, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë për brezat që vijnë. Respekti për Kuvendin është respekt për Republikën, respekt për qytetarët”.
Gjithashtu Peleshi shprehur mirënjohjen për punonjësit e Gardës së Republikës dhe të shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë në kryerjen e detyrës.


