Paketa antidhunë kalon në Kuvend, përplasje mes mazhorancës dhe opozitës

Më datë:

Pas debatesh dhe përplasjesh të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ka miratuar aktet normativ të qeverisë për tubimet, pjesë e paketës antidhunë, që parashikojnë masa më të ashpra ndaj personave që kryejnë akte dhune gjatë protestave.

Akti Normativ nr.5 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr 8773, dt 23.04.2001 ‘Për tubimet’ ” u miratua me 79 vota pro dhe 21 vota kunder

Akti normativ nr.6 “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve te prekura nga aktet e dhunshme gjateë tubimevedherregullimin e pasojave” u miratua me 80 vota pro dhe 20 vota kundër

Diskutimet në seancën plenare u shoqëruan me akuza dhe kundërakuza mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe atyre të opozitës, ndërsa në qendër të përplasjes ishte edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pikës që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.

Deputetët e opozitës kërkuan ndërprerjen e shqyrtimit të aktit normativ, duke argumentuar se Kuvendi nuk mund të vijonte procedurat për një akt që ishte pjesërisht i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

Deputeti Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi vendimin e Kushtetueses si një paralajmërim serioz për qeverinë, ndërsa theksoi se e drejta për protestë nuk mund të kufizohet përmes gjobave.

Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi ndalimin e diskutimeve, duke argumentuar se aktet normative prekin të drejtat themelore të qytetarëve dhe se mazhoranca duhet të respektojë vendimin e gjykatës.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke sqaruar se Gjykata Kushtetuese nuk kishte pezulluar të gjithë aktin normativ, por vetëm pikën që lidhet me gjobat për bllokimin e rrugëve. Sipas tij, Kuvendi kishte kompetencën kushtetuese për të vijuar shqyrtimin dhe miratimin e aktit brenda afatit 45-ditor.

Debati për aktin normativ u zhvillua edhe në sfondin e protestave të fundit në Tiranë, ku mazhoranca akuzoi opozitën për nxitje të dhunës dhe mungesë distancimi nga sulmet me molotovë ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se gjatë protestave janë ndaluar mbi 200 të mitur dhe se nga më shumë se 300 persona të lënduar, mbi 200 kanë qenë punonjës policie. Ai tha se janë pezulluar nëntë punonjës policie dhe se 50 raste të tjera po shqyrtohen administrativisht për tejkalim të kompetencave.

Demo i kërkoi gjithashtu opozitës të distancohej nga dhuna dhe ngriti pyetjen nëse Partia Demokratike kishte qenë e përfshirë në organizimin e grupeve që ushtruan dhunë gjatë protestave.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, akuzoi PD-në se kishte strehuar në selinë e saj personat që hodhën molotovë ndaj policisë, ndërsa solli në vëmendje edhe ngjarjet e 21 janarit 2011, duke kërkuar hetimin e gjithë zinxhirit komandues për vrasjen e katër protestuesve.

Nga ana e saj, opozita akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe për mungesë përgjegjësie ndaj punonjësve të uniformave blu që, sipas saj, kanë ushtruar dhunë.

Gjatë seancës nuk munguan as përplasjet personale dhe replikat me tone të ashpra. Sali Berisha u përfshi në debate me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, dhe deputetin socialist Erion Braçe, ndërsa Ulsi Manja shkëmbeu akuza me Agron Shehajn dhe Erald Kaprin.

Në përfundim të diskutimeve, mazhoranca vijoi me miratimin e aktit normativ, duke mbrojtur qëndrimin se nisma nuk cenon të drejtën për protestë paqësore, por synon të ndëshkojë aktet e dhunës, dëmtimin e pronës dhe sulmet ndaj institucioneve.

Ndërkohë, pika që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve mbetet e pezulluar deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Rama: Shqiptarët duhet të përfitojnë që tani nga tregu i Bashkimit Europian

Samiti i Ballkanit Perëndimor po mbahet sot në Tiranë,...

Ndryshime në IMT, Halit Valteri merr drejtimin e institucionit

Halit Valteri është emëruar në detyrën e kryeinspektorit të...

Marta Kos vlerëson Shqipërinë dhe Malin e Zi: Performanca më e mirë në rajon

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Tiranë/ Marta Kos jep...

Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e studentëve, pezullohen gjobat për bllokimin e rrugëve

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë pjesërisht zbatimin e...