Pagat e gjyqtarëve, Bylykbashi: Trajtim financiar brenda kufijve kushtetues

Më datë:

Komisioni i Ekonomisë shqyrtoi sot disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nismë e deputetëve të Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli.

Gjatë prezantimit të nismës ligjore, Bylykbashi theksoi se projektligji synon të adresojë formulën e pagës referuese bazë të magjistratëve dhe disa problematika që prej kohësh po krijojnë një pabarazi brenda hierarkisë gjyqësore.

Bylykbashi siguroi se projektligji zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, garanton trajtim financiar të magjistratëve brenda kufijve kushtetues dhe korrigjon gjithashtu padrejtësitë konkrete brenda sistemit, por pa harruar në asnjë në asnjë çast qëndrueshmërinë e financave publike.

Po ashtu, ajo kujtoi se Gjykata Kushtetuese i ka lënë Kuvendit detyrën për të propozuar formulën dhe nuk ka imponuar një formulë të vetme numerike. Ndaj sipas saj, zgjedhja e modelit është tërësisht në diskrecionin e ligjbërësit me kusht që të respektohen standardet kushtetuese dhe të mos kalojë në një formulë tjetër duke sjellë ulje të pagesës.

Duke informuar mbi ndryshimet e rekomanduara nga mazhoranca, Bylykbashi bëri të ditur se propozohet që koefiçenti i pagës referuese bazë të kalojë nga 0,36 në 0,38% të pagës së Presidentit të Republikës.

Ky ndryshim, sipas saj, rrit në fakt bazën mbi të cilën llogaritet e gjithë struktura e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet.

“Koeficienti 0.38 nuk është zgjedhur rastësisht, por vjen si rezultat i një vlerësimi që ka marrë parasysh nga njëra anë garancitë kushtetuese për trajtimin financiar të magjistratëve dhe përgjegjësinë e madhe që mbart funksioni i tyre, por nga ana tjetër  edhe mundësitë reale financiare të shtetit”, tha ajo.

Bylykbashi kujtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që kjo formulë të respektojë pavarësinë dhe integritetin e gjyqtarëve, por edhe të marrë parasysh qëndrueshmërinë fiskale dhe prioritetet sociale dhe të zhvillimit ekonomik.

Po ashtu, sipas saj, paga bruto përfshin përveç bazës edhe elementë të tjerë si vjetërsia në detyrë apo shtesat ligjore sipas funksionit. “Sipas llogaritjeve tona, në një shembull, paga bruto e një magjistrati të Shkallës së Parë do të arrijë afërsisht në 90% të pagës së Presidentit. Njëkohësisht projektligji ruan dhe mekanizmin e indeksimit periodik për t’i mbrojtur pagat e magjistratëve nga inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës”, shtoi ajo.

Një tjetër ndryshim i propozuar, sipas Bylykbashit, lidhet me barazinë brenda hierarkisë gjyqësore.

“Në Gjykatën e Lartë, gjyqtarët që kryejnë të njëjtin funksion marrin paga të ndryshme thjesht sepse vjetërsia u është llogaritur ndryshe në varësi të rrugës së tyre profesionale, individuale dhe kjo nuk është e drejtë. Prandaj propozojmë një korrigjim të saj. Konkretisht shtesa për vjetërsi për gjyqtarët e lartë të llogaritet 2% e pagës referuese bazë për çdo vit përvojë profesionale juridike, të njohur si kusht për emërimin deri në maksimumin 25 vjet”, tha Bylykbashi.

Po ashtu ajo theksoi se propozohet edhe shtrirja e shtesës për vështirësi pune.

“Efekti financiar shtesë për periudhën 2023-2025 vlerësohet të jetë rreth 1 miliard lekë, ndërsa për vitin 2026 rreth 500 milionë lekë në vit. Projektligji parashikon që formula e re të njihet me efekte nga 1 prilli i vitit 2023. Detyrimet për periudhën e kaluar do të llogariten për çdo përfitues dhe do të shlyhen sipas afateve dhe mekanizmave që do të përcaktojë ligji”, shtoi Bylykbashi.

Nisma u miratua në përfundim të diskutimeve me 8 vota pro, dy kundër dhe një abstenim.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Goditi me grusht të shoqëruarin gjatë tubimit në Tiranë, pezullohet efektivi i policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita...

Berisha: Në SHBA, paraqita shqetësimet e opozitës shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë...

Apeli i GJKKO-së ndryshon rregullin, Meta pranë avokatit gjatë seancave

Apeli i GJKKO-së ka pranuar kërkesën e ish-presidentit të...

“KAYO”, PD kërkon hetim parlamentar, Balliu: Pyetjet kërkojnë përgjigje

PD dorëzon kërkesë për ngritjen e një Komisionit Hetimor...