Këtë të premte, më 19 dhjetor, Qeveria ka miratuar sot një sërë vendimesh të rëndësishm që synojnë përmirësimin e kushteve të punësimit, mbështetjen e rindërtimit dhe zhvillimin ekonomik.
Kështu, siç bën me dije Agjencia për Media dhe Informim, paga minimale mujore për punonjësit është vendosur në vlerën 50 mijë lekë, ndërsa janë alokuar fonde të konsiderueshme për rikonstruksionin e banesave në Bashkitë Durrës dhe Shijak. Për më tepër, disa zona në Bashkitë Klos dhe Vau i Dejës janë shpallur “Zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”. Ndërkohë, Andrea Shllaku është emëruar zëvendësministër i Mbrojtjes.
Paga minimale
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u vendos që paga bazë minimale mujore për punonjësit në gjithë vendin të jetë 50 mijë lekë për 174 orë pune në muaj, gjatë kohës normale të punës.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të ketë efekt financiar që nga 1 janari 2026.
Përdorimi i fondit të rindërtimit
Për rikonstruksionin e njësive individuale të banimit në Bashkinë Durrës, është miratuar përdorimi i fondit në masën 169 milionë e 850 mijë lekë pa TVSH.
Për riforcimin e banesave individuale në Bashkinë Shijak, klasifikuar si të dëmtuara rëndë (DS4) dhe që nuk kërkojnë rindërtim të plotë, është miratuar përdorimi i 5 milionë e 314 mijë e 932.40 lekëve pa TVSH. Shuma do të përballohet nga fondi i rindërtimit për vitin 2025 dhe do t’i transferohet Bashkisë Shijak në formë transfertë të pakushtëzuar.
Zonat me përparësi zhvillimi ekonomik
Qeveria shpalli disa zona në Bashkitë Klos dhe Vau i Dejës si “Zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”. Aktivitetet që do të zhvillohen në këto zona përfshijnë zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik.
Emërime
Andrea Shllaku është emëruar zëvendësministër i Mbrojtjes.


