Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat e kredenciale nga ambasadori i ri i Norvegjisë në Republikën e Kosovës, Arne Sannes Bjornstad.
Gjatë ceremonisë zyrtare, presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën e re dhe theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për forcimin e partneritetit dypalësh.
Sipas njoftimit Zyrës së Presidencës së Kosovës, Osmani vlerësoi Norvegjinë si një nga partnerët më të rëndësishëm dhe afatgjatë të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet ka dhënë ndër vite, si në zhvillimin e programeve të ndryshme, ashtu edhe në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe mbi mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë në fusha të ndryshme”, thuhet në komunikatë.
Në përfundim, të dyja palët riafirmuan gatishmërinë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit strategjik mes dy shteteve.
Konsull i Përgjithshëm i Norvegjisë në Kosovë, Taulant Hodaj ka shkruar se ka pasur nderin të shoqëroj Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Arne Sannes Bjornstad, gjatë vizitës së tij në Prishtinë për Ceremoninë e Dorëzimit të Letrave Kredenciale dhe paraqitjen e kopjeve protokollare para Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Sipas Hodajt, ambasadori Bjornstad, i cili shërben si Ambasador i Norvegjisë në Kroaci, do të mbulojë prej sot edhe Republikën e Kosovës—një hap i rëndësishëm që forcon edhe më tej marrëdhëniet diplomatike ndërmjet vendeve tona.
Ai tha se deri më tani, Kosova ishte nën mbulimin e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Turqi; prandaj ky zhvillim shënon një fazë të re në bashkëpunimin tonë bilateral.
“Është privilegj i veçantë për mua, në cilësinë e Konsullit të Përgjithshëm të Norvegjisë në Kosovë, të jem pjesë e këtij momenti diplomatik dhe të vazhdoj angazhimin për forcimin e lidhjeve tona miqësore e institucionale”, shkruan Hodaj.


