Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke theksuar se vendimi nuk mund ta ndryshojë, sipas saj, të vërtetën historike të luftës në Kosovë.
“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka përmendur viktimat e luftës në Kosovë, duke theksuar se mijëra njerëz u vranë nga forcat serbe, ndërsa një numër i madh i personave ende figuron si i zhdukur.
“Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, rreth 10 mijë ishin civilë të masakruar, ndërsa më shumë se 1500 ende mbesin të zhdukur me dhunë dhe në varreza masive”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, edhe sot ka familje që presin drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.
“Dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të llahtarshme të Serbisë ende mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare; ndërkaq, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe t’i shpërblejë kriminelët”, ka shkruar ajo.
Osmani ka thënë se UÇK-ja u ngrit në përgjigje të dhunës dhe krimeve të kryera ndaj popullsisë së Kosovës.
“Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre”, ka theksuar ajo.
Në fund, ish-presidentja ka deklaruar se lufta çlirimtare dhe shteti i Kosovës do të mbeten, sipas saj, pjesë e një përgjegjësie të përbashkët.
“Prandaj, sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët”, ka përfunduar Osmani.


