Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e dy të rinjve në Pukë, E. U., 35 vjeç dhe J. C., 34 vjeç. Aksioni për kapjen e tyre zgjati rreth 12 orë pasi njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri ndaj efektivëve.
Uniformat blu kishin dalë në terren në fshatin Orosh, kur kanë konstatuar në mëngjesin e 24 nëntorit një person, i cili sapo ka parë policët është larguar me shpejtësi për t’u futur në një banesë të braktisur. Efektivët i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por nuk i është bindur thirrjes së tyre dhe i ka kërcënuar.
“Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e këtij personi, shërbimet e Policisë rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara, me qëllim sigurinë e jetës së punonjësve të Policisë”, njoftoi policia.
https://www.facebook.com/share/v/19tK4GHW5V
Kjo bëri që në vendngjarje të shkonin forcat speciale RENEA të cilët morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës. Kur ata i kanë bërë thirrje personit të dalë, nga brenda është qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivëve.
“Pas 12 orësh në rrethim, ku Forcat Speciale RENEA u bënë thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar, pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit e tyre të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në finalizimin e operacionit pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëmtime, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan”, njoftoi policia.
Në momentin e dorëzimit, njëri prej të arrestuarve, 35-vjeçari E.U kishte një dëmtim në kofshën e djathtë, dhe për këtë arsye është dërguar në spital. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja”, njoftoi policia.


