Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ishte ditën e sotme i pranishëm në protestën e mbajtur në sheshin “Skënerbeu”, në Prishtinë në mbështetje të UÇK.
Në fjalën e tij, ai u kërkoi protestuesve që të mos dorëzohen sepse sipas tij, nëse dorëzohen do t’i gjykojë jo vetëm historia por edhe e ardhmja.
“Sot jam jo vetëm si biri i njeriut që po i bëhet padrejtësi, por si biri i këtij populli. Ajo që ndodhi në Hagë, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të zhdukuri familjet e të cilëve ende e kërkojnë. Sot nuk duhet të dorëzohemi sepse nëse ne dorëzohemi do të na gjykojë jo vetëm historia por edhe e ardhmja. Për 6 vjet kemi kërkuar drejtësi dhe do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi. Sot i bëjmë thirrje edhe të gjithë partive politike të lëmë anash të gjitha dallimet dhe le të bëhemi bashkë”, tha Altin Krasniqi.
Në protestën që zgjati rreth 40 minuta qytetarët artikuluan katër kërkesa:
-Shfuqizim ndryshim i ligjit për dhomat e specializuara;
-Shkarkim i ministres së drejtësisë Donika Gervalla;
-Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish krerëve;
-Angazhim ekspertësh ndërkombëtar në mbrojtjen e ish krerëve.
Një protestuese në fjalën e saj tha se ‘sot kur do të duhej të ishim në ditën e dytë të festës po protestojmë’. Sipas saj, po protestojnë sepse pafajësia është dënuar me dënime drakonike, ndërkohë kriminelët e luftës dhe njerëzimit, po enden në liri.
“Ky diskriminim, ky tentim për balancë false për të njëjtësuar viktimën me agresorin po na dhemb deri në palcë. Jemi të dëshpëruar se na është prekur ideali ynë, e po pyesim veten si mban kjo tokë tërë këtë dhimbje, tërë këtë padrejtësi. Si është e mundur të ndodhë gjithë ky inskenim, si nuk u shemb toka, apo çka e shemb këtë tokë tani që këmba e tyre nuk e shkeli tokën e Kosovës? Jemi këtu se po njolloset, përbaltet e tjetërsohet lufta e domosdoshme e një populli që i ishte vjedhur e drejta për liri, e drejta për dinjitet dhe e drejta për jetë në shtëpinë e tyre”, tha një protestuesja.


