12.5 C
Tirana

Nis gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë

Më datë:

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiç. Ai akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999 në Kosovë.

Në seancën të cilën po e drejton kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, si mbrojtës i Aksiçit është paraqitur Zharko Gajiç.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, i akuzuari, në periudhën kohore janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal, të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘Krim i luftës kundër popullsisë civile.”

Prokurorja Habibe Salihu tha se kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim që të sigurohet prania e të akuzuarit, por kjo nuk është arritur.

Sipas aktakuzës, Aksiç është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi. Aktakuza ndaj Çedomir Aksiçit, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ishte ngritur më 4 maj të këtij viti.

Ky është rasti i parë i gjykimit në mungesë, me të cilin përballet gjykata në Prishtinë dhe lejohet me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Çka thotë Kodi i Procedurës Penale?

Mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 303, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi, nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.

Aty thuhet, po ashtu, se për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin.

Çka prodhojnë gjykimet në mungesë?

Më herët nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë (FDH), ishin shprehur kundër aktakuzave dhe gjykimeve në mungesë.

Edhe pse në fillim mund të duket që viktimat janë të kënaqura me drejtësinë, më vonë shumica e tyre zhgënjehen, sepse edhe në rastet kur dikush dënohet, kur e kuptojnë viktimat që ndoshta kryesi i krimit nuk do të prangoset, është një zhgënjim për viktimën”, ishte shprehur Bekim Blakaj nga FDH-ja.

Blakaj kishte shprehur edhe shqetësim për kohën që mund të marrë nisja dhe përfundimi i këtyre gjykimeve.

Rreziku është se kanë kaluar më shumë se 24 vjet nga kryerja e krimeve të luftës. Në shumicën e rasteve, Prokuroria është mbështetur në dëshminë e dëshmitarëve, nuk është që ka pasur prova materiale ose mjekoligjore. Rreziku është që dëshmitarët të vdesin, ose ta humbin memorien”, kishte thënë ai.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se gjykimet në mungesë janë të rëndësishme për familjarët e viktimave, “që të zbardhen krimet dhe e vërteta”.

Ata mund ta shfrytëzojnë pastaj të drejtën e kompensimit nga Fondi për kompensimin e viktimave të krimit, sipas ligjit dhe procedurës së paraparë”, thotë ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës deri tani ka ngritur gjashtë aktakuza për krime lufte me propozimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë dhe duke arsyetuar që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për t’i gjetur të pandehurit.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë./ REL

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Bylykbashi paraqet amendamentin: 5 miliardë lekë për kompensimin e ish-pronarëve

Nënkryetari i PD-së, Oert Bylykbashi kërkoi që në buxhetin...

Buxheti 2025, Manja: 17% rritje për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bëri të ditur sot...

Mes tensionesh, kryediplomatja europiane pret Kurtin e Vuçiçin për herë të parë

Për herë të parë në cilësinë e shefes së...

Qumështor me Niseshte – Receta e Shpejtë me Shije të Lehtë

Nuk ka shije më fantastike, të lehtë e të...