Në Bashkinë Maliq ka nisur puna e komisionit për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë nga reshjet intensive të shiut që përfshinë vendin tonë gjatë ditëve të fundit.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Bujqësinë në qarkun Korçë, Vullnet Gjolla, informoi për ATSH se procesi i vlerësimit po zhvillohet në terren dhe po ndiqet nga afër nga strukturat përkatëse.
Sipas Gjollës, zonat më të prekura në qarkun Korçë janë fusha e Maliqit, e cila paraqet problematika të përsëritura për shkak të strukturës së tokës torfike, e cila mban ujë në sipërfaqe gjatë reshjeve intensive.
Ai sqaroi se dëmet janë evidentuar në disa njësi administrative, përfshirë Pojanin, Pirgun, Vreshtasin dhe bashkinë Maliq.
“Dëmet janë konstatuar kryesisht në të mbjellat bujqësore, veçanërisht në drithërat e mbjella gjatë muajit nëntor, të cilat janë dëmtuar si pasojë e reshjeve të rëna gjatë këtij muaji” bëri të ditur Gjolla.
Sa i përket sektorit të blegtorisë, drejtori i Drejtorisë Rajonale për qarkun Korçë theksoi se nuk janë konstatuar dëme.
Procesi i evidentimit të dëmeve vijon dhe të dhënat përfundimtare do të përpilohen pas përfundimit të verifikimeve në terren, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile


