Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte, më 12 dhjetor, pranë një shkolle në lagjen “Zdrale” në Shkodër, ku një grup të rinjsh janë përfshirë në një konflikt fizik dhe si pasojë tre të rinj (vëllezër), kanë mbetur të lënduar.
Raportohet se incidenti ka ndodhur në dalje të gjimnazit të gjuhëve të huaja “Shejnaze Juka”, ku një grup adoleshentësh sapo kanë dalë nga mësimi janë konfliktuar me një grup tjetër që i prisnin jashtë.
3 të rinj janë paraqitur në spital të plagosur me sende të forta dhe thikë që janë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa bluzat e bardha thonë se janë jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e sherrit fizik, kanë mbetur të lënduar tre prej tyre, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Në sherr ka patur përdorim të thikës dhe sendeve të tjera të forta.
“Rreth orës 11:10, në lagjen ‘Kongresi i Përmetit’, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta në rrugë, duke përdorur mjete prerëse, shtetasi A. K. me shtetasit F. Th. dhe K. Th. (vëllezër). Të tre këta shtetas janë dërguar në spital, për mjekim, dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit. Në vijim do të jepet informacion më i plotë për rastin.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga vendi i ngjarjes vihet re edhe një xhup i lënë nga njëri prej të rinjve, ku shihen shenja gjaku dhe të çara që duken se janë bërë me thikë.
Poshtë xhupit të gjakosur, gjendet një kapele mbi të cilën për ironi të fatit, shkruhet në anglisht: “Dhimbja nuk të lëndon!”


