Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi të hënën, në Komisionin e Ligjeve, ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2024, miratuar përmes një akti normativ nga qeveria.
Malaj bëri të ditur se rishikimi i buxhetit parashikon rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, nga të cilat të ardhurat nga tatime e dogana rriten me 9.4 miliardë lekë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore rriten me 1.7 miliardë lekë dhe të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore rriten me 8 miliardë lekë.
Po ashtu, përmes këtij akti propozohet rritje e shpenzimeve buxhetore me rreth 27.3 miliardë lekë.
Ndryshimet në buxhet ruajnë të pandryshuar deficitin buxhetor, në nivelin 57.28 miliardë lekë.
“Kjo performancë pozitive krijon besimin për vazhdimësi pozitive në të ardhurat e buxhetit në 5-mujorin e mbetur të vitit, duke krijuar mundësi për më tepër mbështetje sociale dhe investime”, tha Malaj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi deklaroi votën kundër të opozitës për ndryshimet në buxhet teksa theksoi se fondet nuk shkojnë te shtresat në nevojë.
“Marrim më shumë lekë dhe i çojmë aty ku nuk janë nevojat e qytetarëve. Ky akt normativ thellon edhe më tej varfërinë, sepse nuk ka asnjë mbështetje për shtresat vulnerabël”, tha Bardhi.
Propozimet sa i takon zërave të shpenzimeve buxhetore, ndër të tjera, konsistojnë në financimin shtesë, në masën 5 miliardë lekë, për projektet e reja të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, të cilat konsistojnë në projekte të reja në programe zhvillimi, të infrastrukturës vendore e rajonale dhe programit 100 fshatrat.
Po ashtu, financimin shtesë, në masën 4.75 miliardë lekë, për projektet e reja të transportit rrugor për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, për financimin e projektit të rrugës Elbasan-Lekaj, Fier-Kthesa Patos-Frataj dhe Bërdicë-Unaza Lindore.
Njëkohësisht, financimin shtesë, në masën 2 miliardë lekë, për projektet e reja në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime për vitin 2024.
Akti Normativ mbështet financimin shtesë, në masën 250 milionë lekë për vitin 2024, për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim avancimin në vitin 2024 të procedurave të prokurimit për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 dhe garantimin e implementimit në kohë të sistemit, si dhe financimin shtesë, në masën 400 milionë lekë, për projektet e reja dhe në vazhdim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, të cilat konsistojnë në projekte në sektorin e ujitjes dhe kullimit.
Përmes këti akti sigurohet financimi shtesë, në masën 250 milionë lekë, për projekte të reja në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2024, reflektuar edhe për vitet 2025-2026, për financimin e projekteve, në vlerën 50 milionë, në programin “Shërbimi i kujdesit parësor” dhe 200 milionë lekë në programin “Shërbimi i kujdesit dytësor”.
Do të kryhet financimi shtesë, në masën 100 milionë lekë, për projektet e reja në Ministrinë e Brendshme, në zbatim të marrëveshjes Shqipëri-Itali për protokollin për emigracionin, si dhe shtesën e fondeve, në masën 1.3 miliardë lekë dhe 500 efektivë të rinj për Ministrinë e Brendshme, me qëllim përballimin e nevojave për kompensimin ushqimor, krahas orëve jashtë orarit, në kuadër të sezonit intensiv turistik.


