Zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi sot drejtuesin e ri të Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, duke theksuar se emërimi i tij vjen në një moment kyç për zhvillimin strategjik të porteve shqiptare.
Në fjalën e saj, Balluku u ndal te projekti madhor për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një nismë që synon ta kthejë Shqipërinë në një nyjë të rëndësishme logjistike dhe ekonomike në rajon.
“Kemi nisur prej kohësh një plan zhvillimi për një port të ri në afërsi të Durrësit, duke qenë se ky qytet është një pikë referimi për të gjithë rajonin. Me mbështetjen e një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare, MIE ka arritur të përgatisë një dokument të detajuar që parashikon të gjitha hapat e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”, deklaroi Balluku.
Ajo shtoi se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë shprehur interes për të qenë pjesë e projektit, përmes krijimit të porteve të thata në Shkup dhe Prishtinë, duke forcuar kështu bashkëpunimin rajonal dhe zinxhirin logjistik të Ballkanit Perëndimor.
“Procedura ndërkombëtare ka qenë transparente dhe me interes të lartë. Sot kemi arritur në fazën e fundit për ndërtimin e këtij porti. 5 kompani të huaja kanë garuar dhe në datën 31 janar do të shpallet fituesi i garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Durrësit. Brenda vitit 2026 do të nisë ndërtimi në Porto Romano, ndërsa brenda tre viteve ky port do të jetë plotësisht funksional dhe operativ”, nënvizoi ministrja.
Balluku theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të portit të ri, i cili do të shërbejë jo vetëm ekonomisë shqiptare, por edhe partnerëve rajonalë dhe aleatëve ndërkombëtarë.
“Porti në Porto Romano do të jetë porti më i madh në Ballkanin Perëndimor që do t’i shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut, edhe Kosovës gjithashtu”, tha ajo.
“Porti i ri në Durrës është një korridor ekonomik dhe logjistik i disponueshëm për të gjitha operacionet e NATO-s. Durrësi ka nevojë për një drejtues profesionist, me njohuri të thella në fushën portuale dhe gjeopolitike, dhe Liburn Aliu i plotëson këto kushte. Jam e bindur se ai do ta realizojë me sukses këtë mision të rëndësishëm”, përfundoi Balluku.


