Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktores Margarita Xhepa.
Përmes një mesazhi drejtuar familjes së saj, komunitetit të artistëve dhe mbarë shqiptarëve, të cilët e kanë admiruar divën e skenës dhe ekranit, Presidenti i Republikës vlerësoi figurën e Margarita Xhepës si artiste, si grua, si nënë, por dhe rolin e saj në shoqëri.
“Me trishtim mësova se Margarita Xhepa, ylli i skenës dhe ekranit shqiptar, u shua sot. Me interpretimet e saj, ku spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës, Margarita Xhepa çoi dritë dhe u bë pjesë e dashur e familjeve shqiptare. Artistja e madhe, një figurë publike e respektuar, grua dhe nënë e nderuar, deri në vitet e fundit të jetës së saj iu kushtua artit dhe artin e saj e përdori për kauza të rëndësishme në mbrojtje të grave dhe fëmijëve.
Ngushëllimet e mia më të ndjera shkojnë për familjen, që sot iu nda nga jeta njeriu i tyre i shtrenjtë, për komunitetin e artistëve shqiptarë dhe për mbarë shqiptarët që e kanë ndjekur dhe duartrokitur artin që Margarita Xhepa dhuroi ndër vite”, shkruan Presidenti i Republikës në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Veç çmimeve dhe titujve në karrierën e saj artistike, aktorja Margarita Xhepa është “Nder i Kombit” dhe e nderuar me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Erion Veliaj: Margarita Xhepa, një margaritar që do të na mungojë të gjithëve
Erion Veliaj: “Margarita Xhepa është një margaritar që do të na mungojë shumë, të gjithëve!
Shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ikonës se skenës dhe kinematografisë shqiptare, e cila la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke prekur zemrat e gjeneratave me talentin, elegancën dhe përkushtimin ndaj artit.
Roli i saj në kulturën shqiptare mbetet i pavdekshëm, ashtu si dhe emocionet që ajo dhuroi me interpretimet e saj. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë artdashësve shqiptarë. Kujtimi i saj do të mbetet i paharruar”!
Aktorja e njohur Marjeta Ljarja, në një lidhje direkte në Klan News e quan Xhepën një simbol të mirësisë dhe buzëqeshjes.
Ljarja shton se ajo ishte një aktore shumë e përkushtuar dhe ndihmuese për të gjithë të rinjtë që nuk kishin shumë eksperiencë.
“Do të ruajmë shumë kujtim në punët e bukura që ka ajo qoftë në film qoftë në teatër, Margarita do të thoja që është simbol i mirësisë, i buzëqeshjes. Gjithmonë na ka parë me dashamirësi për të na ndihmuar se natyrisht kemi filluar kur Margarita ishte në kulmin e vetë dhe unë sapo kisha mbaruar shkollën. Një aktore që cilësinë e saj e dinë të gjithë spektatorët, por unë gjithmonë do të mbaj mend atë mirësinë e saj pafund. Ka qenë shumë e përulur dhe shumë e përkushtuar. Gjithmonë shumë ndihmuese”, shprehet aktorja Marjeta Ljarja.
Aktorja Yllka Mujo shprehet e trishtuar, teksa e quan një lajm të trishtë për të gjithë Shqipërinë.
“Një lajm shuam i trishtuar edhe pse e dinim që nuk është në gjendje shumë të mirë, mirëpo shpresa gjithmonë na mbante që mund të ndodhë edhe çudia. Mirëpo nuk ndodhi. Nuk ndodhi dhe është shumë e trishtueshme në rradhë të parë për familjen, për komunitetin e artistëve që e kemi njohur dhe kemi punuar me të, edhe për mbarë Shqipërinë. Çfarë mund të them për Margaritën. Një grua e shkëlqyer, një aktore e madhe, një nënë jashtëzakonisht e përkushtuar, një njeri jashtëzakonisht modest, një punëtore e palodhur. Nuk e di çfarë epitetesh mund t’i vësh një njeriu që ka bërë një emër kaq të madh qoftë në kinema qoftë në teatër”, shprehet Mujo.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të yllit të kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa. Në një postim në Facebook, Rama shkruan “Lamtumirë yll”
Ndërkohë kujtojmë se së fundmi aktorja brilante vuante nga një sëmundje e mushkërive, çka u bë edhe shkak edhe i rëndimit të gjendjes së sa shëndetësore kohët e fundit.
Ajo u dërgua mbrëmjen e kaluar për trajtim mjekësor në një spital të Tiranës, ku edhe ndërroi jetë rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Ndërsa lamtumirën e fundit kolegë, dashamirës, figura të shquara të artit do t’ja japin të premten në homazhet që do të mbahen në Tetarin e Operas dhe Baletit, nga ora 10:00 deri në 13:00 para përcjelljes për në banesën e fundit.


