Ministri i Financave Petrit Malaj, i shoqëruar dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj zhvilloi një takim sot në 10 prill me subjekte që operojnë në sektorin e turizmit në qytetin e Beratit.
Në fokus të këtij takimi ishte diskutimi mbi problematikat dhe sfidat me të cilat përballen këto subjekte gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre, bashkëpunimi me Administratën Tatimore dhe ecuria e zbatimit të planit operacional për sektorin e turizmit në rajonin e Beratit.
Në diskutimin e tij, ministri Malaj vuri në dukje ndikimin e sektorit të turizmit dhe të sektorëve të ndërlidhur me të në ekonominë kombëtare dhe rëndësinë formalizimit real të tij. Në këtë drejtim, ministri tha se është thelbësore rritja e deklarimit të pagave reale dhe përmirësimi i nivelit të pagave aktuale, gjë që përkthehet në rritje të mirëqenies për punonjësit dhe më shumë siguri për të ardhmen e tyre, ashtu si edhe rritja e transparencës fiskale dhe deklarimi real i qarkullimit të bizneseve.
Duke iu referuar qytetit të Beratit, Malaj tha se ai përbën një histori suksesi në zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit, megjithatë, duhet një angazhim më i madh për të garantuar konkurrencë të ndershme, rritje të cilësisë së shërbimeve dhe përmirësim të nivelit të pagave.
Sipas të dhënave, në sektorin e turizmit në Berat operojnë 746 tatimpagues, nga të cilët vetëm 50 janë subjekte me TVSH, ndërsa kontributi i këtij sektori në TVSH përbën rreth 2.3% të totalit të aktivitetit ekonomik, me një vlerë prej rreth 16.5 milionë lekësh. Numri i të punësuarve në këtë sektor ka pësuar rritje me 11 %, megjithatë ka ende nevojë dhe hapësirë për përmirësim të strukturës së pagave dhe formalizimit të marrëdhënieve të punës.
Në prag të sezonit turistik, është e domosdoshme rritja e angazhimit për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe qëndrueshmëri afatgjatë të sektorit. Formalizimi i aktivitetit dhe përmirësimi i standardeve janë kyç për të rritur besimin dhe zhvillimin ekonomik.
Takimi u zhvillua në formën e një diskutimi të hapur, ku përfaqësuesit e biznesit ndanë shqetësimet dhe sugjerimet e tyre për më shumë mbështetje, akses në fuqi punëtore të kualifikuar dhe politika që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajon.


