Sportistët paralimpikë ukrainas do të bojkotojnë ceremoninë e hapjes së Lojërave të Milano-Cortina 2026, më 6 mars në Verona, për të protestuar kundër vendimit të Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik për të lejuar atletët rusë të garojnë me flamurin e tyre kombëtar.
“Ekipi paralimpik ukrainas dhe Komiteti Kombëtar Paralimpik i Ukrainës bojkotojnë ceremoninë e hapjes së Lojërave të 14-ta Dimërore Paralimpike dhe kërkojnë që flamuri ukrainas të mos përdoret gjatë ceremonisë së hapjes”, thuhet në një komunikatë të Komitetit Kombëtar Paralimpik të Ukrainës.
Ky njoftim vjen dy ditë pas vendimit të Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik (CIP) për të lejuar gjashtë sportistë rusë dhe katër bjellorusë të marrin pjesë në Lojërat Paralimpike 2026 (6-15 mars) me flamurin e tyre, duke i dhënë fund përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë, të cilat ishin të ndaluara që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.
Rusia dhe Bjellorusia ishin përjashtuar nga Lojërat Paralimpike të 2022-shit, dhe më pas lejuar të merrnin pjesë nën flamur neutral në Lojërat Paralimpike Verore në Paris.
Ukraina e cilësoi si “skandaloze” rikthimin e sportistëve rusë dhe bjellorusë në Lojërat Paralimpike.
Tani, i gjithë delegacioni ukrainas do të mungojë në ceremoninë e hapjes, po ashtu edhe komisioneri evropian për sportin, Glenn Micallef, i cili gjithashtu u shpreh kundër këtij vendimi.
“Komuniteti i sportistëve paralimpikë ukrainas dhe Komiteti Kombëtar Paralimpik i Ukrainës janë të indinjuar nga vendimi cinik i Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik për të dhënë vende dy-palëshe Rusisë dhe Bjellorusisë, duke i lejuar gjashtë atletë paralimpikë rusë dhe katër atletë paralimpikë bjellorusë të marrin pjesë në Lojërat e 14-ta Dimërore Paralimpike”, thuhet në komunikatë.


