Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) ka dhënë sot, 18 nëntor, vendimet për të pandehurit e dosjes “Metamorfoza” pas zbardhjes së komunikimeve në Sky Ecc.
Behar Brajoviq (Bajri) është shpallur fajtor dhe është dënuar me 13 vite burg (8 vite e 8 muaj heqje lirie me gjykim të shkurtuar) për disa vepra të rënda penale, që nga sigurimi i kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut e deri te pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal.
Ndërsa për Edmond Prekën, u vendos dënimi me 10 vite e 6 muaj burg (7 vite heqje lirie) për sigurimin e kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut, armëmbajtje pa leje dhe si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
Për Astmer Bilalin, që akuzohet për veprën penale të sigurimit të kushteve për vrasjen e Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit si dhe për grup të strukturuar kriminal, togat e zeza vendosën dënimin me 8 vite e 6 muaj burgim, që me gjykim të shkurtuar i bie 5 vite e 8 muaj burg.
Ish-prokurori Xhevahir Lita, është shpallur fajtor për zbulim të akteve sekrete dhe korrupsion pasiv, duke u dënuar me 3 vite e 4 muaj burg. Duke qenë se marzhi i dënimit është me i lartë se koha e qëndrimit të tij në ambientet e paraburgimit (që prej 2023-it), gjykata vendosi shuarjen e masës së sigurimit dhe lirimin e tij të menjëhershëm.
GJKKO vendosi të shpallë të pafajshëm ish-shefin e Operacionales Oltion Bistri pasi nuk është gjetur element i veprës penale të korrupsionit si dhe atë të pastrimit të parave. Por Bistri është shpallur fajtor për veprën penale të zbulimit të akteve sekrete, duke u dënuar me përfundimisht 2 vite heqje lirie. Edhe ky i fundit është liruar menjëherë nga qelia sepse koha e paraburgimit rezultoi shumë herë me e lartë se marzhi i dënimit. U rrëzua edhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme dhe u vendos lirimi i të gjitha pasurive të Bistrit.
Duhet theksuar se Ardit Hasanbega dhe Pëllumb Gjoka do të gjykohen veçmas, më 2 dhjetor.


