Ndërsa skena politike në Kosovë po riorganizohet sërish para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një pjesë e opozitës serbe është bashkuar për të treguar se ekziston një “zë tjetër politik”, i pavarur nga politika zyrtare e Prishtinës dhe Beogradit.
Gjashtë subjekte politike serbe do të tentojnë më 7 qershor të garojnë me një listë të përbashkët të quajtur “Bashkë fitojmë”, me synimin për të hyrë në Kuvendin e Kosovës, ku komuniteti serb ka dhjetë ulëse të rezervuara.
Në zgjedhjet e fundit, më 28 dhjetor, Lista Serbe fitoi 9 mandate, ndërsa një mandat e mori Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiçit.
Lista Serbe, që nga themelimi i saj, ka vepruar me mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërsa Rashiq shihet si partner i Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, në të cilën ka shërbyer për dy mandate si ministër për Komunitete dhe Kthim.
Ndërkohë, partitë e tjera serbe si Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, Fytyra e Re dhe Demokracia Serbe, si dhe iniciativat qytetare “Veriu për të Gjithë” dhe “Rrënjët”, thonë se synojnë t’u ofrojnë serbëve një “perceptim tjetër të rrethanave politike” dhe të jenë “zëri i tyre autentik”.
Zoran Saviç, nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicën e Veriut, vlerëson se opozita serbe në Kosovë ka kuptuar se vetëm e bashkuar mund të arrijë një rezultat më serioz politik dhe të bëhet faktor më i rëndësishëm në skenën politike. Sipas tij, bashkimi i opozitës krijon hapësirë për ndryshime politike, pasi pas më shumë se një dekade pakënaqësish, qytetarët po kërkojnë alternativa reale.
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, vlerëson se bashkimi i një pjese të opozitës serbe përbën fillimin e një përfaqësimi më të qëndrueshëm të komunitetit serb.
Ajo thekson se këto forca mund të mbrojnë “nevojat reale të serbëve”, duke pranuar realitetin e bashkëjetesës mes serbëve dhe shqiptarëve.
Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb është e zhgënjyer dhe e vetëdijshme se Beogradi ka manipuluar me ta, pa ofruar zgjidhje për kushtet e tyre të jetesës. Edhe asamblisti Ivan Vuçkoviç nga iniciativa qytetare “Rrënjët” thotë se nevojat e përditshme të qytetarëve kanë qenë arsyeja kryesore e bashkimit të opozitës serbe.
Ai thekson se qëllimi i tyre është të sjellin ndryshim dhe t’i japin qytetarit ndjesinë e mbrojtjes dhe përfaqësimit më të mirë. Sipas tij, lista “Bashkë fitojmë” përbëhet nga aktorë politikë nga veriu dhe jugu i Kosovës dhe është rezultat i kompromisit mes tyre.
Ai shton se qytetarët tashmë i njohin këto subjekte nga puna në nivel lokal dhe se synimi i tyre është të ndikojnë edhe në nivel qendror. Vuçkoviç shpreh bindjen se kjo iniciativë nuk është e varur as nga Prishtina, as nga Beogradi, pasi sipas tij “nuk janë të parashikueshëm”.
Zoran Saviç vlerëson se bashkimi i opozitës tregon një nivel më të madh pjekurie politike dhe krijon perceptimin e një alternative të re për qytetarët. Megjithatë, ai mbetet skeptik nëse kjo listë mund të rrezikojë seriozisht dominimin e Listës Serbe apo të Rashiçit, pasi të dyja palët kanë mbështetje të fortë institucionale dhe financiare.
Në Kosovë, gjatë periudhës së fundit janë mbajtur disa cikle zgjedhore parlamentare dhe lokale, ndërsa gjatë fushatave janë ngritur akuza për përdorim të burimeve shtetërore nga të dyja palët politike për ndikim në vota.
Lista Serbe është akuzuar për ndikim nëpërmjet punësimeve dhe ndihmave financiare nga Serbia, ndërsa Rashiq përmes subvencioneve dhe mbështetjes nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Rada Trajkoviç, opozita serbe ka një “shans historik” për të ndërtuar një projekt politik që adreson realisht problemet e komunitetit serb dhe përmirëson komunikimin me shumicën shqiptare.
Ajo thekson se stabiliteti në Kosovë kërkon respektimin e të drejtave të serbëve dhe mbështetje ndërkombëtare, ndërsa vlerëson se një pjesë e komunitetit serb është e zhgënjyer si me Beogradin, ashtu edhe me situatën aktuale politike.
Trajkoviç kritikon gjithashtu ndikimin e Listës Serbe dhe figurave të saj të mëparshme, duke thënë se kanë dëmtuar perceptimin dhe funksionimin e komunitetit serb në Kosovë. Prej themelimit të saj në vitin 2013, Lista Serbe ka dominuar bindshëm zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë, duke fituar shumicën dërrmuese të votave të komunitetit serb. Megjithatë, në zgjedhjet e shkurtit 2025 ajo humbi për herë të parë një mandat deputeti dhe aktualisht nuk është pjesë e qeverisë, pas largimit nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022.


