Ndërkohë, masa e “arrestit në burg” është lëshuar për dy biznesmenë, ende pa ekzekutuar. SPAK ka kërkuar pezullim nga detyra të zv.drejtorit të Policisë Tiranë, Erion Ismaili dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Gjithashtu masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.
Shtetasit e dyshuar, ka sqaruar Prokuroria e Posaçme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme, konkretisht në përcaktimin e kritereve specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave.
Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, ata kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.


