Pasi e hëngrëm darkën me disa fëmijë të një miku të respektuar, u ulëm të pinim çaj dhe të nisnim me muhabet.
Njëri prej tyre më befasoi me një pyetje rreth pirjes së çajit dhe më tregoi se kishte lexuar disa cicërima në profilin tim në Twitter rreth kësaj teme, derisa kishte filluar të mendonte se unë isha prej atyre që merreshin me këtë pije.
Pas një kohe të shkurtër çaji u bë tema kryesore e ndejës. Njëri, kur nisi të fliste për llojet e çajrave dhe t’i përshkruante shijet e ndryshme, e ndërpreva duke i thënë me bindje të plotë: Ata që e shijojnë dhe e njohin çajin, nuk krenohen me gjërat shtesë të cilat e tejkalojnë shijen e natyrshme të çajit.
Flisja me shumë besim. Isha i bindur se prej të gjithë të pranishmëve unë kisha më shumë njohuri për këtë temë.
Pa i përcjellë reagimet e fytyrave të tyre dhe duke supozuar paraprakisht se ata do të më dëgjonin me vëmendje dhe entuziazëm, e vazhdova fjalimin tim dhe e thashë çdo gjë që e dija për bimën e çajit. Muhabetit iu bashkëngjit personi që ma parashtroi pyetjen. Ai na njoftoi me shumë të dhëna të detajuara për çajin, saqë e pashë që kisha mangësi në njohjen e çajit.
Atëkohë në vete thashë: Çfarë gabimi ka këtu? Unë nuk jam i specializuar për çajin. Dashuria e njeriut për ndonjë gjë dhe përkujdesja e tij për atë gjë, nuk e detyron me çdo kusht ta dijë çdo detaj për të.
Nuk shkoi shumë kohë, e kuptova fshehtësinë e informacioneve të tij rreth çajit. Ai kishte qenë në Shrilankë, atje kishte marrë instruksione dhe ishte stërvitur nga njerëz të specializuar në fushën e çajit. Një prej mësimeve që e kishte mësuar ishte t’i këpusë fletët e bimës së çajit menjëherë pas zbritjes së shiut e më pas ta krahasojë me fletën para se të zbresë shiu.
Pastaj u zgjerua në muhabet, e shtjelloi më detajisht rastin e tij dhe na rrëfeu si u shndërrua nga kureshtar për çajin në profesionist. Atje kishte marrë mësime dhe ushtrime për çajin, derisa në fund filloi të tregtonte çaj.
Pas gjithë kësaj që e mësova, prezenca ime u bë e padukshme, kalova nga pozicioni i mësuesit në pozicionin e nxënësit. Folësin e dëgjoja me vëmendje dhe me respekt për informacionet dhe përvojën që e kishte.
Pasi përfundoi muhabeti rreth çajit, u tregova për çdo gjë që më sillej nëpër mendje në fillim të muhabetit, derisa më bëri të qeshja fakti që mendoja se jam më i dituri nga të pranishmit për çajin.
Një djalë i ri nga të pranishmit, i sjellshëm dhe me edukatë të lartë, më tha: “S’ka gjë, mos u merakos! Edhe unë më herët isha sikur ti sot, po në të njëjtën situatë. Isha në veturë dhe me vete e kisha një person tjetër. Ai i pa katër kuti të çajit pranë meje dhe kjo e shtyri të më pyeste për to. Unë ia dhashë disa informacione të thjeshta duke menduar se ato i mjaftojnë dhe u përshtaten përvojave të tij të kufizuara. Mirëpo, ai më befasoi me informacionet dhe të dhënat e hollësishme që i posedonte për këtë pije. Atë ditë edhe unë u ndjeva sikurse ti sot.”
Pasi na i dha këto informacione dhe para se të ndaheshim, më tregoi se punon si ekspert i çajit te Organizata Botërore e Ushqimit.
Ishte situatë e sikletshme në fillim, por, megjithatë, në fund, përfundoi me fillimin e një shoqërie të vazhdueshme dhe projekt të përbashkët.
Me kaq përfundoi kjo vizitë, pastaj shkova në shtëpi, por me mendje te rasti që më ndodhi.
– Kuptoje se për çdo ditë mësimet që i marrim nga gabimet na e shtojnë përvojën në jetë. Pavarësisht faktit se gabimi im te tema e çajit nuk ishte i madh dhe tronditës dhe nuk më futi në siklet të madh, megjithatë prej tij mësova shumë.
– Shpeshherë flasim pa e ditur realitetin e bashkëbiseduesit. Ne nuk dimë shumë gjëra për gjendjen, njohjet dhe përvojat e tij e kjo na shtyn që me plot vetëbesim ta paraqesim atë që e dimë, me supozim se jemi më të mirë se ai që na dëgjon dhe me besim të thellë se ne kuptojmë, njohim dhe lexojmë më shumë se ai. Nëse ai interesohet apo kundërshton, nuk kemi interes të thellohemi ta kuptojmë pyetjen dhe ta pranojmë kundërshtimin e tij, por e vazhdojmë fjalimin tonë me të njëjtin ritëm, duke pretenduar me gjuhë para se ta vërtetojmë me vepra, se ne jemi më të dijshëm dhe më të mençur.
E kur na qartësohet gjendja se qenka e kundërta e asaj që e kemi menduar, ka mundësi që koha për të përmirësuar më veç të ketë kaluar. Ndodh nganjëherë të paraqitet padija jonë para dëgjuesit, mirëpo edukata e lartë e tij e bën atë t’i japë përparësi heshtjes para futjes sonë në siklet.
– Ky rast më mësoi mos ta nënvlerësoj bashkëbiseduesin, më e mira nga të mirat është të supozoj se ai mund të ketë më shumë përvojë dhe njohuri se unë dhe, ndoshta, për temën që i flas të jetë i specializuar. Për këtë shkak, më e mira është të shikoj diapazonin e njohurive të tij, para se unë të nisi t’ia paraqes njohuritë e mia.
Njëherë një djalë i ri të cilin nuk e njihja, më tregoi për pjesëmarrjen e tij në një projekt prej projekteve. Unë thashë në vete: Po ky çfarë mund të ofrojë? E, në veçanti, kur projekti kërkon aftësi të larta shkencore. Prandaj, nuk m’u duk i përshtatshëm për ta pyetur rreth projektit.
Vetëm pasi bashkëbiseduam më gjatë, e kuptova se punimi i tij shkencor në nivelin e magjistraturës dhe doktoratës kishte lidhje direkte me këtë fushë. Kjo më bëri të shndërrohesha para tij në nxënës që hesht dhe kërkon të mësojë.
– Mësova se nuk duhet të supozojmë që njerëzit garojnë në mes vete të ulen me ty, apo të supozojmë se do të më dëgjojnë me vëmendje dhe do t’i binden asaj që e them. Kjo sëmundje shpeshherë di të hyjë vjedhurazi në shpirt. Më e rënda është se kjo ka mundësi të na çojë deri në atë shkallë sa ta qortojmë atë që e kemi para nesh nëse nuk e shohim tek ai heshtjen dhe interesimin që e pritnim prej tij.
Ai që gjendet para nesh, nuk është e patjetërsueshme të ketë më pak dije dhe përvojë se ne rreth temës për të cilën flasim. Ku e di, ndoshta ai ka njohuri që neve na e shton dijen.
– Mësova të jem i kujdesshëm që mos të përçoj sinjal tek ai që e kam para meje që ai të kuptojë se unë jam i bindur se jam më i mirë dhe më i dijshëm se ai, e kjo pastaj ta dekurajojë atë shpirtërisht dhe fjalimi im të jetë i padobishëm.
– Mësova se mënyra e shfaqjes së përvojave tona është më e rëndësishme se vetë përvojat. Me rëndësi është të kujdesemi për atë që e kemi para nesh; nuk është prej moralit dhe sjelljes së bukur ta bëjmë palën tjetër të ndihet se ne jemi më të lartë apo më të mirë se ai, as me shprehje dhe as me vepra.
Nuk na ka hije neve ta bëjmë atë të ndihet ashtu, qoftë edhe kur ne, thjesht, vetëm jemi duke e vlerësuar gjendjen reale. Nëse jemi të detyruar t’i tregojmë disa prej përvojave tona në formë të dëshmisë, duhet ta bëjmë në mënyrën më të përshtatshme, e cila nuk përçon te pala tjetër sinjal se lavdërohemi para tij, apo ta bëjmë të ndihet se po lavdërohemi indirekt para tij.
Dr. Muhamed Duvejsh
Nga arabishtja: Irfan Jahiu