Siç njoftoi Prokuroria e Sarandës, ishte arrestimi i dy vëllezërve në qytetin bregdetar pikënisja e çështjes ndaj oficerit të policisë gjyqësore, Edmond Ruçi. Ky i fundit ra në pranga mbrëmjen e djeshme, 19 maj, i dyshuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Po çfarë ka ndodhur konkretisht?
Raportohet se Ruçi kishte dijeni për veprimtarinë kriminale të dy vëllezërve. Më saktë, trafikimin e lëndëve narkotike! Pasi ata u kapën me 24 doza kanabisi, oficeri i kërkoi leje Prokurorisë për të përgjuar dy vëllezërit.
Më tej, efektivi mësohet se ka takuar nënën e tyre dhe i ka treguar për hetimet dhe përgjimet. Ai i ka kërkuar asaj që t’i jepte shuma parash për të mbyllur hetimet. Gruaja më pas ka informuar dy djemtë e saj, moment ky i regjistruar edhe në përgjime.
Në momentin që vëllezërit nuk po paguanin paratë e kërkuara nga oficeri i policisë, Ruçi ka dorëzuar në Prokurorisë provat dhe përgjimet e dy vëllezërve, pa kuptuar se brenda përgjimeve kishte dhe komunikimin e nënës me dy djemtë e saj.
Prokuroria pasi ka zbardhur bisedat ka kuptuar kërkesën e efektivit për të marrë ryshfet për të mbyllur hetimet.


