Gjatë vizitës së saj zyrtare në Kroaci, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali u prit mëngjesin e sotëm nga presidenti kroat Zoran Milanović.
Në fokus të këtij takimi ishte perspektiva europiane dhe mbështetja e Kroacisë për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE.
“Nder dhe kënaqësi pritja nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, për integrimin e shpejtë dhe të merituar të Shqipërisë në BE, për sigurinë e përbashkët, si dhe për vlerat që e bëjnë marrëdhënien tonë, pikë referimi në të gjithë rajonin.”, shkruan ministrja Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Gjatë takimit, ministrja Spiropali falenderoi presidentin kroat për mbështetjen politike dhe teknike që Kroacia vijon t’i japë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit.
Eksperienca e Kroacisë përgjatë anëtarësimit në BE, sipas Spiropalit, “tregon se reformat serioze dhe diplomacia proaktive japin rezultate konkrete dhe Shqipëria është e vendosur të ndjekë të njejtën rrugë”.
Ndërsa presidenti kroat nga ana tjetër “vlerësoi angazhimin e Shqipërisë dhe kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke veçuar partneritetin mes dy vendeve për sigurinë e përbashkët“.
Më herët, ministrja Spiropali ka ndarë një moment në rrjetet sociale, ku shihet duke vënë një kurorë dhe duke bërë nderimet e saj në Monumentin e Atdheut, në nisje të vizitës së saj zyrtare.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Jashtme, Spiropali do të zhvillojë gjithashtu një takim bilateral dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e saj kroat, Gordan Grlić-Radman. Më pas, do të zhvillojë një takim edhe me Komitetin për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Kroat.


