Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska përmes një video-lidhjeje zhvilloi bisedë me ministren e sapoemëruar të Mbrojtjes së Malit të Zi, Olivera Injac, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se duke i uruar koleges malazeze për pozitën e ministres dhe për zgjedhjen e Qeverisë së re, ministrja Shekerinska nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në rajon në fushën e mbrojtjes dhe rolin koheziv të NATO-s ku të dyja vendet janë anëtare.
“Maqedonia e Veriut dhe Malit të Zi janë shembull për një bashkëpunim të suksesshëm dhe në edukimin e personelit dhe përforcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Mbështetjen që e morëm nga Podgorica për hyrjen tonë në Aleancë ishte mbështetje për stabilizimin e tërë rajonit. Përvojat e juaja nga anëtarësimi në NATO janë udhërrëfyesi ynë në procesin e integrimit në sistemin e NATO-s për çka u jemi falënderues”, tha Shekerinska.
Ajo theksoi se anëtarësimi dhe funksionimi i Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO është tregues se në Aleancë nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël por se kjo është një familje e shteteve të barabarta, me votë të barabartë dhe përgjegjësi të barabartë.
“Në këtë kuptim Shekerinska nënvizoi se Maqedonia e Veriut e zhvillon Qendrën e saj rajonale për marrëdhënie me opinionin që të rritet në qendër për përballje me dezinformata dhe lajme të rreme, me çka NATO dhe rajoni do të fitojnë kapacitet shtesë për luftën kundër ndikimeve që dëshirojnë që t’i minojnë stabilitetin dhe integritetin e Ballkanit Perëndimor”, informojnë nga Ministria e Mbrojtjes.
Në njoftim thuhet se në video takimin u bë fjalë për shkëmbimin e pjesëmarrjes në stërvitjet vitin e ardhshëm në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Shekerinska potencoi rëndësinë e poligonit ushtarak Krivollak dhe investimet që Ministria e Mbrojtjes dhe Armata i bëjnë për zhvillimin e infrastrukturës së poligonit dhe rritjen e kapaciteteve të tij.
Ministrja malazeze, Olivera Injac përshëndeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe theksoi se “bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mbrojtës mes dy vendeve do të fitojë intensitet dhe se mbështetja e ndërsjellë do të vazhdojë edhe në Aleancë”.


