Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), do të zhvendosë disa linja të energjisë elektrike që ndodhen pranë trasesë së hekurudhës Tiranë-Durrës dhe zgjatimit të saj drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Ndërhyrja vjen pas kërkesës së bërë gjatë vitit të kaluar nga Hekurudha Shqiptare për spostimin e linjave elektrike ajrore në kuadër të projektit “Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore Durrës-PTT Tiranë dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA)”.
Në dokumentet teknike të kontratës së shpallur, publikuar nga Autoriteti i Prokurimeve Publike theksohet se spostimi dhe eliminimi i transversimeve ajrore do të realizohet përmes ndërtimit të një rrjeti të ri me linja kabllore, të cilat në segmente të veçanta do të kalojnë nën shinat e trenit, të vendosura në tubacione plastike dhe të pajisura me puseta në të dy krahët.
Për të respektuar distancat e sigurisë, është parashikuar që disa linja ajrore që shtrihen përgjatë trasesë së hekurudhës të zhvendosen në një pozicion tjetër. Ndërhyrja përfshin rrjetin e tensionit të mesëm ajror 6 kV, 20 kV dhe 35 kV, rrjetin kabllor të tensionit të mesëm 6 kV dhe 20 kV, si dhe rrjetin e tensionit të ulët ajror dhe kabllor.
Fondi limit për këtë procedurë është 45.8 milionë lekë pa TVSH, ndërsa afati për zbatimin e kontratës është 9 muaj. Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është 30 mars 2026, ora 11:00.
Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin e saj drejt Rinasit kanë nisur në nëntor të vitit 2021. Operimi i plotë i linjës pritet të nisë në fillim të vitit 2027.
Projekti fillimisht u financua me një kredi prej rreth 70 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa më pas qeveria kërkoi edhe një shtesë prej 40 milionë eurosh për përfundimin e punimeve, për shkak të rritjes së kostove të materialeve të ndërtimit dhe ndërtimit të stacioneve.
Hekurudha Tiranë-Durrës me lidhjen drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës do të ketë një gjatësi rreth 39 kilometra. Linja Tiranë-Durrës-Rinas do të vihet në funksion me 5 trena elektrikë.
Trenat elektrikë pritet të përshkojnë distancën mes dy qyteteve për rreth 22 minuta dhe përgjatë linjës do të jenë gjithsej 11 stacione.


