Drejtori i ri i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së prezantimit, shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë së Shqipërisë dhe zv.kryeministres Belinda Balluku për besimin e dhënë në drejtimin e një prej institucioneve më strategjike të vendit.
“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu dhe që më është besuar një detyrë kaq e rëndësishme e sfiduese. Porti i Durrësit është port i gjithë shqiptarëve, port i rajonit, sepse Kosova pjesën më të madhe të mallrave e merr përmes këtij porti,” u shpreh Aliu.
Ai theksoi se qëllimi është që Porti i Durrësit të shndërrohet në një port konkurrues e sfidues në nivel rajonal, duke u bërë një pikë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.
“Kam pasur nderin të punoj me zv.kryeministren Balluku në forume të ndryshme rajonale dhe qasja jonë e përbashkët për zhvillimin e transportit e ka bërë Shqipërinë dhe Kosovën të ndërvarura në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor,” shtoi ai.
Aliu vuri në dukje se Porti i Durrësit ka rëndësi të madhe për Kosovën, e cila përmes tij siguron pjesën më të madhe të furnizimeve tregtare, duke e kthyer portin në një element thelbësor të zinxhirit logjistik të rajonit.
“Kosova ka nevojë për Portin e Durrësit për të shpërndarë mallrat në rajon. Kjo krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të dy vendeve, duke forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale,” theksoi drejtori i ri.
Në vijim, Aliu nënvizoi rëndësinë strategjike të Portit të NATO-s, që do të ndërtohet krahas portit të ri tregtar në Porto Romano, si një garanci sigurie për të gjithë rajonin.
“Porti i NATO-s do të ndihmojë të gjithë rajonin të ketë më shumë siguri dhe stabilitet. Falënderoj Republikën e Shqipërisë, kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Balluku për besimin. Këtu më shohin si nga Kosova, atje më shohin si nga Shqipëria – dhe kjo është përgjegjësi e madhe që do ta përmbushim së bashku,” deklaroi Aliu.
Në përmbyllje, ai shprehu bindjen se brenda tre viteve Porti i ri i Durrësit do të përfundojë dhe do të lidhet me rrjetet hekurudhore dhe transportuese të rajonit, duke e kthyer në një qendër moderne të logjistikës dhe bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.


