Kuvendi i Kosovës mblidhet për një deklaratë rreth vendimit të Hagës

Më datë:

Kuvendi i ri i Kosovës pritet ta miratojë sot një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në seancën e së hënës, e para plenare e legjislaturës së 11-të, që pritet të nisë në orën 11:00, në rend dite është edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe betimi i disa deputetëve të rinj.

Javën e kaluar, PDK-ja i propozoi Kuvendit ndryshimet në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Hashimit Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.

PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.

Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa Lëvizje Vetëvendosje (LVV) në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.

Më 16 shtator, Specialja dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimin.

Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Pas dorëheqjes së Vuçiçit, Ana Brnabiç caktohet Presidente në detyrë e Serbisë

Ish-kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiç, ka marrë zyrtarisht...

Protestë për ujin e pijshëm në Burimas, përplasje me policinë

Protesta e tretë e banorëve të Burimasit kundër projektit...

Bardhi akuza ndaj qeverisë: Para në xhep dhe vila brenda e jashtë vendit

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, në...

GJKKO shtyn për më 12 tetor shqyrtimin e dosjes Partizani, mungonin avokatët

GJKKO ka shtyrë për në datën 12 tetor dosjen...