9.5 C
Tirana

Kurti uron 28 Nëntorin: Datë e shenjtë për kalendarin kombëtar

Më datë:

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një mesazh urimi për Ditën e Flamurit, duke e cilësuar 28 Nëntorin si datën më të ndërlidhur me fatin historik të kombit shqiptar.

Kurti theksoi se rrugëtimi historik që fillon me ngritjen e flamurit të Kastriotëve në Kalanë e Krujës më 1443, vijon i pandërprerë përmes ngjarjeve kyçe që kanë shënuar kombin shqiptar ndër shekuj.

“Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar”, shkruan Kurti.

Ai kujtoi edhe ngritjen e flamurit në Vlorë më 1912, duke sjellë në vëmendje vizionin e Sami Frashërit dhe dëshmitë e Luigj Gurakuqit.

Kurti përmendi edhe datat e rëndësishme të historisë së Kosovës: ditëlindjen e Adem Jasharit dhe paraqitjen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, duke i cilësuar si momente që vulosën rrugën drejt lirisë.

Në fund, Kurti uroi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen

“Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”.

Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.

Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!
Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:

Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

“Thaçi nga Haga: Sot festojmë gjithë kombi shqiptar”

Ish-presidenti, Hashim Thaçi, duke shprehur revoten e tij për...

“Ish-deputeti sulmon Nokën: ‘Degës së Kamzës i duhet mendësi si në kohën e Partisë së Punës’”

Ish-deputeti Edmond Spaho ka kritikuar deputetin e PD-së, Flamur...

Operacioni i përbashkët me Italinë/ GJKKO e la në burg, shefin e Antiterrorit

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg oficerin e...

HONG KONG – Rritet në 128 numri i viktimave pas zjarrit në disa rrokaqiej

Numri i viktimave nga zjarri më i madh në...