Kurti flet për takimin me Vuçiqin në Bruksel, tregon 6 pikat që përmendi për marrëveshjen finale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për takimin e 18 gushtit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka shtuar  se pala serbe nuk ka qenë e gatshme për normalizim të plotë.

“Në vend të ideve pala tjetër kanë nxjerr vetëm konstatime duke bërë të ditur se nuk jën të intersuar për normalizim të plotë, por për hapa të vegjël”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se temë diskutimi në këtë takim ka qenë marrëveshja finale dhe çështjet aktuale, duke thënë se ka paraqitur 6 kapituj që do të duhej të përfshiheshin në marrëveshjen finale.

“Te tema e parë kam elaboruar në detaje këndvështrimin e palës tonë për marrëveshjen finale në formë të 6 kapitujve:

1. Statusin e marrëdhënieve bilaterale të dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar që nënkupton njohjen reciproke dhe rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizatën ndërkombëtare

2.Ballafaqimin me të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale të luftës, kthimi i artefakteve etj

3. Bashkëpunimi në të ardhmen ku përfshihet liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve

4.Trajtimi i të drejtave të pakicave respektive, si për serbët në Kosovë ashtu edhe shqiptarët në Serbi

5.Të ri konsiderojmë marrëveshjet e deritanishme, jo me idenë e ri negocimit siç është plasur dezinformata nga pala tjetër, por shqyrtimi i asaj se cilat nga këto marrëveshje veçse janë tejlaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes finale ligjërisht të obligueshme e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen.

6.Duhet të vendosim qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit”, u shpreh Kurti.

Kurti tutje shtoi se problemet mes dy vendeve po ndodhin për shkak të mos fillimit të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve, për çka tha se kanë qenë të gatshëm të qëndrojnë edhe përtej ditës së enjte.

“Ka qenë pritja jonë që kjo pikë e agjendës do të konsumoj pjesën më të madhe të kohës për çka jemi treguar të gatshëm të qëndrojmë në Bruksel edhe përtej ditës së enjte për arsye se problemet e vazhdueshme në mes dy vendeve tona i shohim si simptomë të mos fillimit të bisedimeve për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.

Kryeministri theksoi se në Bruksel ishte prezent si kryeministër i Republikës së Kosovës, e jo si polic e doganier.

“Atje kam qenë si kryeministër i Republikës së Kosovës,  nuk kam qenë si polic, as si doganier, prokuror, gjykatës e as si shef i kadastrit të Kosovës. Sepse pika e parë ka qenë elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, tha Kurti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi