KEDS u arsyetua se vendimi për reduktime është marrë për shkak se nuk ka mundësi financiare për blerjen e energjisë nga jashtë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare janë rritur shumë.

Njoftimi për nisjen e reduktimeve vjen pasi më 9 gusht, KEDS kishte kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të shtrenjtojë tarifat e rrymës.

Muajin e kaluar, KEDS kishte paralajmëruar një dimër “shumë të pasigurt” për shkak të krizës energjetike që ka prekur Evropën.

Në njoftimin e 14 gushtit, KEDS tha se për shkak të rritjes së çmimeve të importit, kjo kompani dhe KESCO vitin e kaluar e kishin përmbyllur vitin me mbi 46 milionë euro humbje.

Edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, teksa konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave.

Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.

Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.