Nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike u mblodh sot Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore.
Në rend të ditës së mbledhjes së sotme ishte konstituimi i Komisionit.
Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri u shpreh në nisje të mbledhjes se ky komision është ngritur me konsensusin e të gjitha forcave politike dhe me pjesëmarrjen e të gjithë partive politike të përfaqësuara në parlament.
“Pavarësisht se dhe ndonjë parti nuk ka sjellë anëtarët e tyre në këtë komision, vendi i tyre është i garantuar, por gjithashtu ky komision mundëson që çdo anëtar i parlamentit i zgjedhur nga një forcë që edhe mund të mos jetë e përfaqësuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore ka të drejtë të marrë pjesë në zhvillimet e saj, ka të drejtë të marrë fjalën njësoj si anëtarët e tjerë, ka të drejtë të propozojë projektligje, propozime të tjera që lidhen me punën e këtij komisioni, njësoj sikur të ishte anëtar me të drejta të plot të këtij komisioni”, theksoi Gjiknuri.
Gjiknuri theksoi se detyra kryesore e komisionit është adresimi i rekomandimeve të OSB/ODIHR-it për sa i përket zgjedhjeve.
“Detyra që na ka vënë Kuvendi është që ky komision në radhë të parë duhet të udhëhiqet nga parimi, adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për sa i përket zgjedhjeve”, tha ai.
Gjiknuri theksoi se janë disa rekomandime kryesore si depolitizimi i administratës zgjedhore, përmirësimi i klimës zgjedhore, një fushatë më e ndershme dhe më e barabartë për të gjitha palët.
Ndërsa bashkëkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi, u shpreh se, ky komision ka në dorë të bëjë një punë shumë të mirë, ashtu siç ka edhe mundësinë që në varësi të asaj që do jetë klima në të cilën parlamenti do të trajtojë objektivat prioritarë, mund dhe të mos prodhojë atë që presin shqiptarët”.
Bylykbashi tha se, nevoja për reformë zgjedhore pas çdo zgjedhjeje është se vazhdon të shihet përkeqësim në raportet e OSBE/ODIHR.
Ai shtoi se, reforma e fundit zgjedhore konsensuale është e vitit 2012.
“Topi është në fushën e mazhorancës të tregojë vullnetin politik që reforma zgjedhore të jetë një reformë që ka sukses për shqiptarët dhe jo për partitë politike”, tha Bylykbashi.
“Pa një frymë të përbashkët që çon drejt suksesit, jo thjesht gjithëpërfshirjes ky komision nuk do të arrijë qëllimin e tij”, u shpreh Bylykbashi.


