Këshilli bashkiak i Tiranës i kërkon zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të lejojnë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, që të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit 2026 për qytetarët.
Sipas kërkesës, pjesëmarrja e Veliajt për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit është një proces i përcaktuar si detyrim ligjor nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore.
Në shkresën drejtuar SPAK dhe Burgjeve, anëtarët e këshillit bashkiak theksojnë se prania e kryebashkiakut është e detyrueshme për të garantuar bashkëpunimin me këshillin për çështje me interes publik.
Në shkresë thuhet se “duke qenë se pjesëmarrja e kryetarit të bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat nga 16 deri në 18 dhjetor 2025”.
“Këshilli bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional”, thuhet në shkresë.
Dy ditë më parë, kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj përmes një letre drejtuar këshillit bashkiak, i kërkoi këtij të fundit që të marrë mendimin e tij, përpara miratimit të buxhetit 2026
Veliaj shprehej në letër se “miratimi pa konsultim me kryetarin e zgjedhur përbën devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengim i realizimit të mandatit tim demokratik”.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”, kërkuar nga SPAK.
Veliaj akuzohet në nëntë raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.


