Kandidati i Listës Studentore shkakton reagime me deklaratën për Kosovën

Më datë:

Fegja Dimoviç, kandidat i Listës Studentore në Serbi, tha se Kosova zë një vend të rëndësishëm në programin politik të kësaj liste, e cila e konsideron atë “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”.

Dimoviç, së bashku me pesë kandidatë të tjerë dhe përfaqësues të lëvizjes studentore, vizituan Kosovën gjatë fundjavës. Kjo ishte vizita e tyre e parë pas fitores në zgjedhjet në Serbi.

“Nga kjo vizitë kthehemi me forcën që do të na nevojitet për ta çliruar vendin tonë nga kthetrat e krimit të organizuar. Bashkëkombësve tanë në Kosovë u përcjellim një mesazh dashurie dhe solidariteti, me premtimin e qartë se nuk do t’i harrojmë kurrë”, shkroi Dimoviç në Facebook.

Lista Studentore ka deklaruar se, sa i përket Kosovës, do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron atë pjesë të territorit të saj, ndonëse Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga shumë shtete.

Siç shihet nga fotografitë, përveç Dimoviçit, në delegacionin e Listës Studentore ishin edhe Millena Petroviç, Emillija Markoviç, Jugosllav Gashiç, nga Universiteti i Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut, si dhe Nemanja Karoviç.

Gjatë vizitës në Kosovë, ata u takuan vetëm me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, njoftoi të dielën në mbrëmje Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit. Sipas njoftimit, kandidatët e Listës Studentore u takuan në Manastirin e Graçanicës me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, për t’u njohur nga afër me jetën e komunitetit serb dhe me sfidat me të cilat përballet Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë.

“Përfaqësuesit e Listës Studentore shprehën gatishmërinë që, përmes punës dhe angazhimit të tyre të ardhshëm në institucione, t’u kushtojnë vëmendje mbrojtjes së komunitetit serb, të drejtave të tij dhe objekteve të shenjta ortodokse, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me banorët serbë të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua lëvizjes studentore për më shumë hollësi rreth vizitës në Kosovë, qëllimit të saj dhe planeve të ardhshme, si dhe për të mësuar nëse parashihen takime me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Por, deri në publikimin e lajmit, nuk mori përgjigje.

Më 7 nëntor, kandidati i Listës Studentore nga Kosova, Jugosllav Gashiç, përsëriti se nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe, të cilën e bëri përgjegjëse për, siç tha, përkeqësimin e pozitës së serbëve në Kosovë. Lista Serbe është partia kryesore politike e serbëve të Kosovës, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ajo mban nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe udhëheq të gjitha komunat me shumicë serbe në vend. Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi, më 25 tetor, Lista Serbe deklaroi se i “merr parasysh” rezultatet zgjedhore dhe shfaqi shpresën se bashkëpunimi institucional do të vazhdojë. Fitorja e lëvizjes studentore i dha fund sundimit 14-vjeçar të Vuçiçit, i cili e pranoi humbjen menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve.

Pritet që Lista Studentore ta formojë e vetme Qeverinë e re të Serbisë. Megjithatë, nuk dihet ende se kë do ta propozojë për kryeministër, ndërsa nuk ka paraqitur ndonjë program të qartë politik./ REL

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Hiqet taksa e qarkullimit nga nafta, vjen propozimi për vinjetën e makinave të huaja

Projektligji i depozituar në Kuvend nga socialistët parashikon një...

Rihapet çështja e vrasjes që tronditi Kosovën, ish-partneri përballet me drejtësinë pas 15 vitesh

Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit në Prishtinë,...

Kush është ish-futbollisti i Milanit që dikur mundi Shqipërinë dhe sot është në stafin kuqezi

Një emër që ndoshta pak tifozë do ta kishin...

Nga policët te bankierët, vala e arrestimeve në Serbi pas zhvillimeve politike

Arrestime të njëpasnjëshme shënuan dy javët e para pas...