Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar u është drejtuar demokratëve me një video-mesazh.
Ndër të tjera ai thotë se hynë në zgjedhje me shpresë dhe fajëson sërish lidershipin e partisë dhe mungesën e ekipeve në terren.
Kadilli thekson më tej se ndryshimin e kundërshtarit e bëjmë duke ndryshuar së pari vetë, duke propozuar qasje të re dhe projekt të ri për PD-në.
Demokratë dhe mbështetës të PD, më e keqja ndodhi. Një kundërshtar diabolik u rikonfirmua në qeveri. Ne demokratët e shohim veten përsëri në opozitë. Hymë në këto zgjedhje me shpresë, por bashkë me shpresën nxirrte kokë dhe dyshimi se nuk ishte bërë sa duhet.
Cili demokrat nuk u shqetësua deri në lodhje nga vonesat e lidershipit, nga mungesa e ekipeve politike në terren? Cili demokrat nuk u lodh deri në rraskapitje nga paqartësitë e lidershipit? Nga mungesa e informacionit për çdo vendim të rëndësishëm?
Kundërshtari është ai që është: një dhe i pandryshueshëm. Por, nuk është koha për t’u fshehur pas diabolizmave, hileve dhe arrogancës së tij. Ai ashtu është dhe ashtu do të jetë përsëri. Edhe në përballjen e radhës edhe në zgjedhjet e tjera, ndryshimin e kundërshtarit e bëjmë duke ndryshuar së pari vetë. Duke bërë pyetjen: a duhet të ndryshojmë diçka apo të vazhdojmë kështu se jemi mirë? Është koha të jemi të vërtetë me veten si demokratë. Të ofrojmë një qasje të re. Një projekt të ri politik për Partinë Demokratike. Një opozitë të re. Për të gjithë. Me të gjithë. Gjithkund dhe gjithherë. • #PartiaDemokratike #PD #FatbardhKadilli #Shqiperia #Zgjedhje #ProjektiShpreses #Albania #election


