Kallas: BE synon të forcojë forcat e sigurisë së Libanit, jo të zëvendësojë OKB-në

Më datë:

Bashkimi Evropian mbështet zgjatjen e mandatit të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Libanin jugor, UNIFIL, duke paralajmëruar për rrezikun e krijimit të një mungese sigurie, nëse forcat ndërkombëtare largohen pa një alternativë të qëndrueshme.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e bëri deklaratën gjatë vizitës së saj në Liban, në një intervistë për AFP.

“Dua të jem e qartë se për çfarë nuk bëhet fjalë në këtë mision. Nuk është një zëvendësim i UNIFIL-it, Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban dhe nuk do të përqendrohet vetëm në Libanin jugor”, tha Kallas.

“Më shumë se 10 shtete anëtare të BE-së janë të gatshme të kontribuojnë me personel dhe burime”, tha Kallas.

Ajo tha se BE-ja kishte marrë një ftesë zyrtare nga autoritetet libaneze dhe se priste që ministrat e jashtëm të BE-së, ta themelonin zyrtarisht misionin më 12 tetor.

Kallas theksoi gjithashtu se nuk mund të ketë boshllëk sigurie, kur UNIFIL të përfundojë misionin e saj.

“UNIFIL ka luajtur një rol të rëndësishëm për gati 50 vjet”, tha ajo, duke shtuar se diskutimet po vazhdonin për atë që do të pasonte forcën paqeruajtëse.

“BE-ja mbetet e gatshme të punojë me Libanin dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për rregullimet për periudhën pas UNIFIL-it”, tha Kallas.

“Libani duhet të ketë kontroll të plotë mbi të gjithë territorin e tij”, tha ajo.

Mandati aktual i UNIFIL-it është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së deri më 31 dhjetor 2026.

Rezoluta 2790, e miratuar në vitin 2025, parashikon që misioni të nisë pas kësaj date një tërheqje të organizuar dhe të sigurt, e cila do të zhvillohet gjatë vitit 2027.

Megjithatë, zhvillimet e fundit në terren kanë shtuar shqetësimet se largimi i UNIFIL-it mund të krijojë rrezik për destabilizimin e Libanit jugor.

Vetë UNIFIL deklaroi më 1 tetor se largimi i misionit në rrethanat aktuale, pa një mekanizëm alternativ të fuqishëm, mund të krijojë një “mungesë të rëndësishme sigurie”.

UNIFIL, ose Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban, është një mision paqeruajtës i OKB-së, që vepron në Libanin jugor që prej vitit 1978.

Pas luftës Izrael-Hezbollah në vitin 2006, mandati i tij u zgjerua, duke përfshirë monitorimin e ndërprerjes së luftimeve, mbështetjen për ushtrinë libaneze dhe përpjekjet për të ruajtur stabilitetin, përgjatë vijës kufitare mes Libanit dhe Izraelit.

Sipas OKB-së, misioni gjithashtu ndihmon në lehtësimin e aksesit humanitar, monitoron zhvillimet në terren dhe përdor kanalet e komunikimit me palët, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Rezoluta 2790 i kërkon gjithashtu Izraelit të tërheqë forcat e tij në veri të Linjës Blu, ndërsa autoritetet libaneze duhet të vendosin forcat e tyre në zonat përkatëse dhe të forcojnë kontrollin shtetëror në jug të vendit. 

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Exchange pa licencë, masë sigurimi për 14 persona në Fier

Prokuroria e Ferit ka lëshuar masa sigurie për 14...

Protesta para Kuvendit, shoqërohen 8 persona në komisariat

Policia ka shoqëruar tetë persona, pas përleshjes mes protestuesve...

Tjetër parkim publik nëntokësor në kryeqytetit, do ketë edhe hapësira rekreative

Tiranës do t’i shtohet një tjetër parkim publik nëntokësor,...

Berisha: Po shuani bashkitë me një votë, hakmarrje politike ndaj qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se...