Italia shtrëngon masat ndaj qytetarëve për shkak të koronavirusit

Rritja e numrit të shkeljeve ka bërë që autoritetet italiane të marrin një qëndrim më të fuqishëm për të zbatuar rregulla të një bllokimi pothuajse të plotë që synon të kufizojë përhapjen e koronavirusit në vendin më të goditur të Evropës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Italisë, më shumë se 665.000 persona iu nënshtruan kontrolleve midis datave 11-15 mars.

Më shumë se 27.600 qytetarë dhe rreth 1.100 pronarë të bizneseve u raportuan për shkelje gjatë kësaj periudhe.

Në një përpjekje të dëshpëruar për të frenuar përhapjen e virusit, i cili tashmë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 2.000 personave në Itali, vendi imponoi një mbyllje pothuajse totale, duke mbyllur shkollat, kafenetë, restorantet dhe të gjitha aktivitetet joelementare të biznesit.

Kushdo që del nga një vendbanim, duhet t’u japë deklaratë autoriteteve për të shpjeguar arsyen e lëvizjes. Lëvizjet do të lejohen vetëm në katër raste: punë, shëndetësi, nevoja themelore dhe në rast se dikush duhet të udhëtojë në vendbanimin e tyre.

Disa biznese janë përjashtuar nga masat. Mes tyre, supermarketet dhe zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë vazhdojnë të ofrojnë dërgesa, të cilat lihen në distancë të sigurt ose para derës së klientit për të shmangur çdo kontakt fizik.

Italianët gjithashtu ende mund të dalin për të blerë gazeta pasi mbeten të hapura vendet ku shiten gazetat.

Të gjitha shkollat dhe universitetet janë mbyllur të paktën deri më 3 prill, por mësuesit dhe profesorët po përdorin internetin për të vazhduar mësimet.

Provimet universitare mund të realizohen nga distanca ose duke përdorur masat paraprake themelore për ruajtjen e një distancë minimale prej një metër.

Palestrat dhe parqet më të mëdha janë mbyllur ndërsa transporti publik është i garantuar, por me disa kufizime.

Sipas të dhënave të fundit të siguruara nga Fondacioni Italian i Konsulentëve të Punës, rreth 3 milionë punëtorë, më shumë se 13 për qind e fuqisë punëtore, janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të nevojës për të qëndruar në karantinë.

Për të mbrojtur ata që kanë humbur ose rrezikojnë të humbasin punën e tyre, si dhe për të mbrojtur ekonominë italiane nga një recesion i ri, qeveria miratoi një paketë ekonomike me vlerë prej 25 miliardë eurosh, përfshirë kuponat e kujdestarëve për familjet dhe bonuse për disa kategori të punëtorëve.

Covid-19 për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në mbi 160 vende dhe territore. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli shpërthimin e një pandemie botërore.

OBSH-ja ka shpallur Evropën si epiqendër të re të virusit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi