Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të refuzojë kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë të të dyshuarës si të përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit, e reja me inicialet E.A., e cila do të vijojë të qëndrojë në qeli.
E.A, e njohur si ish-e dashura e “të fortit të Shkodrës” S.B, u arrestua në muajin mars të këtij viti, pasi dyshohet se ka drejtuar një nga automjetet e përdorura në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2018 në lagjen Kiras të Shkodrës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, dyshimet ndaj E.A. janë mbështetur në komunikimet e saj me të dyshuarin tjetër, A.B., me të cilin ka udhëtuar nga Tirana drejt Shkodrës në ditët përpara ngjarjes. Të dyshuarit janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ku sipas SPAK, akuzohen si organizatorë dhe ekzekutorë të vrasjes.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha provat e mbledhura për të zbardhur plotësisht rolin e secilit prej të përfshirëve.