Zëdhënësi i qeverisë iraniane, Ali Rebii tha se sabotimi kundër një ndërtese që i përkiste Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit shkaktoi dëme të pjesshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rebii iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me çështjet aktuale në konferencën për media që mbajti në kryeqytetin Teheran.
Në lidhje me sabotimin ndaj ndërtesës që ndodhi më 23 qershor, ai tha: “Ne kemi konfirmuar që kishte sabotim, ne po e riafirmojmë këtë. Ky veprim nuk shkaktoi ndonjë dëm njerëzor dhe dëmtimi i pajisjeve nuk është i jashtëzakonshëm. Ata e hoqën për ta rregulluar sepse kishte një vrimë në çatinë e ndërtesës “.
Duke argumentuar se imazhet e publikuara për ndërtesën u bënë pasi u hoq çatia, Rebii tha: “Regjimi Sionist po organizon këto sulme për të dërguar mesazhin se nuk ka nevojë për të negociuar me Iranin. Sabotimi i deritanishëm ka rritur kapacitetin tonë. Ka pasur një sulm të mëparshëm sabotues në Objektin Bërthamor Fordo dhe këtu ne kemi përparuar edhe më tej”.
Televizioni shtetëror iranian më 23 qershor njoftoi se një nga ndërtesat që i përkisnin Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit ishte shënjestër e një përpjekje të pasuksesshme sabotazhi. Më tej thuhet se sabotimi u parandalua pa shkaktuar ndonjë viktimë ose dëm material falë përpjekjeve të institucioneve të sigurisë.


