Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në Pustec, ku gjatë një aktiviteti kulturor u luajt vetëm Himni Kombëtar i Maqedonisë së Veriut dhe jo ai i Shqipërisë.
Në aktivitet morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski. Ky i fundit kishte kërkuar paraprakisht që të luhej edhe Himni Kombëtar shqiptar, por kërkesa nuk u përfshi në ceremoni.
Më pas, Kolefski kërkoi ndjesë për incidentin.
Në postimin e tij në “X”, Rama vlerëson qëndrimin e kryebashkiakut të Pustecit, duke e cilësuar si “shtetar dhe qytetar të denjë të Shqipërisë Europiane”. Kreu i qeverisë thekson se Shqipëria i konsideron minoritetet si “pasuri kombëtare” dhe jo si statistikë, ndërsa qytetarët minoritarë i cilësoi si të barabartë në liri dhe të drejta.
“Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne.
Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.
Gjithsesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, shkruan numri një i kabinetit…
Lidhur me incidentin, reagoi më herët edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ).
MEPJ theksoi se, edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë i jepte atij rëndësi publike. Mospërfshirjen e Himnit Kombëtar Shqiptar, ministria e cilësoi si një mungesë serioze dhe shmangie nga rregullat e protokollit dhe mirësjelljes institucionale.
Ndërkohë, ditën e djeshme, Mickoski u shpreh se detyrimi i qeverisë është të krijojë lidhje më të forta institucionale me maqedonasit në Prespën e Vogël.
Nga ana tjetër, pas mbylljes së aktivitetit artistik, kryetari i bashkisë Pustec, nënvizoi se kishte kërkuar ekzekutimin e himnit shqiptar dhe se edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut nuk e priti mirë.


