Si pasojë e sulmeve të kryera gjatë ditës nga avionët e regjimit të Bashar al-Asadit dhe Rusisë ndaj vendbanimeve në rajonin e deeskalimit në Idlib të Sirisë të paktën 15 persona e kanë humbur jetën, (AA).
Regjimi i Asadit ka ndërmarrë sulme tokësore dhe ajrore ndaj zonave Teftenaz, Neyreb dhe Binnesh të Idlibit si dhe ndaj zonave Ureim Kubra dhe Hayyan të Halepit.
Sipas Observatorit ajor të opozitarëve, edhe avionët luftarakë të Rusisë kanë kryer sulme ndaj fshatrave Sermin, Kumeynas, Maret Nısan dhe qendrës së Idlibit si dhe ndaj fshatrave Han el Asal, Maret Artik, Rashidin, Kefer Hamra, Babis, Kefer Naha, Humeyra, Kalaciyye, Hureytan dhe Anadan të Halepit.
Ndërkohë sipas të dhënave të marra nga burimet e Mbrojtjes Civile (Beretat e Bardha) në sulmet e regjimit të Asadit kanë humbur jetën 7 civilë nga të cilët nga një civil në fshatin Ahyyan, rajonin Teftenaz dhe në qendër të Idlibit si dhe 4 civilë në zonën Urim Kubra të Halepit.
Gjithashtu 8 civilë e kanë humbur jetën në sulmet që avionët luftarakë të Rusisë kanë kryer në orët e mbrëmjes në qendrën e qytetit Idlib.
Në këtë mënyrë ka arritur në 15 numri i civilëve që kanë humbur jetën në sulmet e ndërmarra gjatë ditës nga regjimi i Asadit dhe Rusia.
Ekipet e Mbrojtes Civile vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit dhe heqjen e rrënojave në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë theksohet se Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) vazhdojnë përforcimet ushtarake në rajonin e deeskalimit në Idlib. Autokolona e TKS e përbërë nga shumë tanke është vendosur në pika të ndryshme të Idlibit.
Nuk u zbatuan marrëveshjet e Astanas dhe Soçit
Idlibi në veriperëndim të Sirisë, pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme ka qenë në cilësinë e kështjellës për opozitarët. Në mars të vitit 2015, opozitarët vendosën kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të brendshme të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më shpesh sulmohet nga forcat e regjimit.
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.
Që nga Marrëveshja e Soçit më 17 shtator 2018 e deri më tani në sulmet e ndërmarr në Idlib nga regjimi dhe mbështetësit e tij kanë humbur jetën më shumë se 1.800 civilë. Ndërsa numri i të zhvendosurve në afërsi të kufirit me Turqinë që nga janari 2019 e deri më tani ka arritur në 1 milion e 677 mijë.