Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në kuadër të rubrikës “Ekonomia flet me fakte”, ka reaguar ndaj pretendimeve opozitare se më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk arrijnë të mbyllin muajin, duke i cilësuar ato si të pabazuara në të dhëna reale.
“Në asnjë nga institucionet zyrtare, as në INSTAT, as në Bankën e Shqipërisë, e as në Bankën Botërore nuk gjendet një statistikë që të mbështesë këtë shifër. Ndoshta bëhet fjalë për ndonjë ‘departament imagjinar statistikor të opozitës’, që punon me ndjesi dhe jo me shifra”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj theksoi se të dhënat reale tregojnë për një përmirësim të dukshëm ekonomik në vend.
“Pagat janë rritur si kurrë më parë, ndërsa paga minimale është dyfishuar në më pak se pesë vite. Konsumi dhe kursimet janë rritur. Po, çmimet janë rritur gjithashtu, por pagat janë rritur më shpejt se ato”, deklaroi Ibrahimaj, duke shtuar se sipas Bankës së Shqipërisë, “vendi ka pasur inflacionin më të ulët në rajon gjatë dy viteve të fundit.”
Ajo renditi edhe një sërë masash të qeverisë që, sipas saj, kanë lehtësuar barrën ekonomike të qytetarëve dhe sipërmarrjeve të vogla.
“Arsimi publik është falas dhe librat për ciklin bazë subvencionohen nga shteti. Çmimi i energjisë elektrike për familjet jo vetëm që nuk është rritur, por është ulur. Transporti publik ka mbetur pothuajse i pandryshuar”, tha ministrja.
Në lidhje me biznesin e vogël, Ibrahimaj theksoi se “tatimi mbi fitimin për 99% të tyre është hequr plotësisht, duke lënë rreth 17 miliardë lekë në vit në xhepat e sipërmarrësve.”
Sipas saj, vetëm 27% e subjekteve janë të përfshira në TVSH, ndërsa “individët me të ardhura deri në 50 mijë lekë në muaj nuk tatohen fare.”
Në përfundim, ministrja nënvizoi se rritja e pagave do të vijojë të mbetet prioritet i qeverisë.
“Do të vazhdojmë të rrisim pagën minimale dhe atë mesatare, duke ndjekur parimin tonë të drejtë: ata që fitojnë më pak, paguajnë më pak. Nuk themi se gjithçka është perfekte, por kemi vullnetin dhe përgjegjësinë për të bërë më të mirën. Ekonomia flet me fakte dhe me rezultate”, përfundoi Ibrahimaj.


