Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri me dije gjatë prezantimit të ecurisë ekonomisë se gjatë këtij viti pritet që të miratohet ligji për produktet “Made in Albania”. Ajo theksoi se ky ligj synon që të mbrojë produktet që prodhohen këtu, por edhe të garantojë nxitjen e eksportit të tyre.
“Një komponent që lidhet ngushtësisht me promovimin është ligji që ne do të miratojmë brenda vitit 2026, ligji për “Made in Albania” që synon të promovojë produktet vendase në vend dhe jashtë vendit. Por synon edhe ndërtimin e brand-it “Made in Albania” dhe procesin dhe procedura që lidhen me mbrojtjen e brand-it “Made in Albania”, tregtimin e brand-it “Made in Albania” që të garantojmë që produkti shqiptar të jetë i disponueshëm në gjithë vendin dhe të garantojmë nxitjen e eksporteve të produkteve “Made in Albania””, tha ministrja.
Ajo u shpreh se gjatë këtij viti do të operacionalizohet dhe do të forcohet komponenti i diplomacisë ekonomike, që do të synojë jo vetëm të forcojë lidhjet me tregjet ekzistuese, por të arrijë edhe tregje të reja, për diversifikimin e tyre.
Sipas ministres për të garantuar qëndrueshmërinë e normave të rritjes ekonomike, duhet përqendrim në tre sektorë të zhvillimit: rritja e investimeve, rritja e eksporteve dhe rritja e produktivitetit.
“Për të garantuar qëndrueshmërinë e normave të rritjes ekonomike duhet të përqendrohet në rritjen e investimeve, në rritjen e eksporteve, në rritjen e produktivitetit. Rreth këtyre komponentëve do të drejtohen politikat tona përgjatë gjithë këtij mandati katërvjeçar me qëllim që të garantojmë qëndrueshmërinë, të garantojmë një treg që nxit investimet dhe një treg përfiton maksimalisht nga tregu i përbashkët europian dhe gjithashtu një treg që është i drejtuar drejt atyre profesioneve që janë më produktive dhe sektorëve që kanë produktivitet më të lartë dhe kapacitet më të lartë për të mbajtur vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare”, tha ministrja.
Ministrja u shpreh se përgjatë këtyre viteve ekonomia ka qenë e përqendruar në sektorin e shërbimeve, duke ndikuar pozitivisht në ekonomi. Ndërkohë në anën e shpenzimeve ekonomia ka qenë kryesisht e bazuar në konsumin e individëve dhe të familjarëve, i cili përbën rreth 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.


